Bedër diplomon brezin e tetë të studentëve
Në një ceremoni festive të organizuar në Amfiteatrin e Liqenit Artificial, 278 studentë mbyllën me sukses rrugëtimin akademik duke u diplomuar në 8 programe bachelor dhe 6 master në Kolegjin Universitar Bedër.
Në ceremoni, krahas studentëve që u diplomuan dhe anëtarëve të stafit, të pranishëm ishin personalitete të ndryshëm nga vendi dhe jashtë, të ftuar, si dhe familjarë e të afërm të diplomuarve.
Në emër të institucionit, studentët i përshëndeti Rektori, Prof. Ferdinand Gjana, i cili i uroi suksese të mëtejshme në rrugëtimin profesional dhe në jetë. Të diplomuarit i uroi gjithashtu kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili theksoi dhe arritjet e Kolegjit Universitar Bedër në rrugëtimin 10-vjecar.
I ftuar special në këtë cermeoni ishte Kryetari i Organizatës Ndërkombëtare “Educators ëithout Borders”, Dr. Mohamed Albaili, i cili vlerësoi seriozitetin e institucionit dhe përkushtimin e stafit. Të pranishmit i përshendeti profesori dhe eksperti i drejtësisë, prof. Altin Shegani, duke shprehur bindjen se shumë shpejt Bedër do të jetë një nga institucionet më elitare edhe në rajon.
Aktiviteti vazhdoi më tej me shpërndarjen e certifikatave të ekselencës për studentët e parë të çdo programi studimi, të cilët mbajtën fjalën përshëndetëse para të pranishmëve në emër të diplomuarve për cdo departament.
Në përfundim të ceremonisë të gjithë studentët u ngjitën në skenë për të hedhur kapelet e diplomimit, duke përmbushur me sukses rrugëtimin e tyre në Kolegjin Universitar Bedër.
Bedër nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Elbasanit
Kolegji Universitar Bedër nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, me qëllim promovimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, rritjen e kapaciteteve të personelit akademik dhe studentëve, si dhe mbështetjen e ndërsjellë në realizimin e veprimtarisë në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë.
E nënshkruar nga Rektori i KUB, Prof. Dr. Ferdinand Gjana dhe nga Rektori i UE, Prof. Dr. Skender Topi, marrëveshja synon që të dy institucionet e arsimit të lartë të bashkëpunojnë në çdo kohë dhe ta shtrijnë bashkëpunimin në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre.
Gjithashtu marrëveshja do të lehtësojë marrëdhëniet ndërinstitucionale për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve të palëve, me synim komunikimin dhe shkëmbimin e personelit akademik, studentëve, informacioneve, ideve dhe eksperiencave që lidhen me fushat me interes të përbashkët.
Zhvillohet Konferenca VII Ndërkombëtare në Shkenca Humane dhe Drejtësi (ICHL)
Fakulteti i Shkencave Humane dhe Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër zhvilloi sot Konferencën e 7-të Ndërkombëtare me temë: "Perspectives on COVID-19: Challenges, Solutions and Opportunities". Konferenca u zhvillua online për shkak të kufizimeve si pasojë e pandemisë. Moderatorja e konferencës, PhD. Ana Uka, përgjegjëse e Departamentit të Edukimit dhe Gjuhës Angleze, çeli punimet e konferencës duke përshëndetur pjesëmarrësit e saj nga vendi dhe bota.
Në fjalën e tij të mirë se ardhjes, Kryesuesi i konferencës Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, falënderoi pjesëmarrësit e Sesionit Plenar për kontributin e shquar që ata po jepnin në interes të gjetjes së rrugëve, të cilat do ta shpien më përpara punën e arsimtarëve pa kufij tashmë që thellësisht ky mision hodhi dhe hapin e fundit drejt globalizimit të edukimit. “Edhe kur sulmi pandemik mori jetë njerëzish, shoqëria njerëzore diti të qëndronte në llogoren e betejës humane, duke shpresuar fuqishëm se do ta fitonte betejën”, theksoi Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi.
Profesor Ferdinand Gjana, Rektor i Kolegjit Universitar Bedër, shprehu kënaqësinë që konferenca do të hedhë hapin e duhur në mbështetje të vizionit që ka planifikuar institucioni, që ai drejton prej themelimit të tij. Tema e gjetur, theksoi ai, ftoi dhe nxiti, mbështeti dhe garantoi se arsimi do të dilte nga kjo gjendje, sepse po mbështetej fuqimisht nga gjetjet shkencore origjinale, nga bashkëpunimi i frytshëm global.
Me interes të veçantë u ndoq fjala përshëndetëse e profesor Mohamed Albailit, ish-Rektor i Universitetit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe President i Organizatës Ndërkombëtare “Educators ëithout Borders”, me qendër në Gjenevë. Ai sqaroi në kumtin e tij joshës se organizata që ai drejtonte, ishte akredituar me vlerësime të larta nga institucione ndërkombëtare, prandaj ai ftonte që bashkëpunimit të organizatës me KUB t’i shtoheshin dhe institucione të tjera të vendit dhe rajonit. Globalizimi, sipas tij, kërkonte të bëhej kujdes për moshumbjen e integritetit akademik, të cilin e shihte si gur themeli në ndërtesën që ngrihej për interes të së ardhmes.
Fjala e profesor Albailit emocionoi rektorin e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë, Profesor Bruno Giardina, i cili jo vetëm miratoi vizionin anti-COVID-19 të kolegut nga Emiratet e Bashkuara Arabe, shkoi më larg, kur propozoi që përvoja globale e fituar në luftën kundër pandemisë botërore, të hiqte kufijtë jo vetëm në edukim, por edhe në marrëdhëniet kulturore dhe komunikimin social global.
Konferencën e përshëndetën dy zëvendësrektorët e universiteteve të Durrësit dhe Elbasanit, respektivisht Prof. Asoc. Dr. Sokol Pacukaj dhe Prof. Asoc. Dr. Elvira Fetahu, të cilët përfaqësonin institucionet e tyre dhe personalisht rektorët gjegjës.
Pas një pushimi të shkurtër, konferenca vijoi punimet e ndara në 5 seksione, gjithsecili prej tyre i organizuar në dy sesione shkencore. Gjithsej morën pjesë me kumtesa 47 kërkues shkencorë dhe 67 pjesëmarrës.