Ecuria e ekonomisë shqiptare për periudhën 2015-2020
Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit në Kolegjin Universitar Bedër zhvilloi sot Workshop-in me temë: “Ecuria e ekonomisë shqiptare për periudhën 2015-2020”.
Workshop-i u hap nga Dr. Ndriçim Ciroka, përgjegjës i Departamentit të Ekonomisë dhe Biznesit, i cili bëri një tablo rreth ecurisë së ekonomisë për këtë periudhë. Duke qenë aktiviteti i parë i kësaj njësie të sapokrijuar në KU Bedër, Prof. Asoc. Dr. Tidita Abdurrahmani, Dekane e Fakultetit të Teknologjisë dhe Biznesit, përshëndeti të pranishmit dhe i uroi suksese anëtarëve të departamentit në organizimet e tjera që kanë planifikuar të zhvillojnë për këtë vit akademik.
Panelistja tjetër, Dr. Irina Canco, lektore dhe ish-specialiste në Ministrinë e Financave në sektorin e buxhetit, u ndal tek efekti i pandemisë në buxhetin e shtetit, borxhi publik, perspektiva e ekonomisë, etj. Z. Uran Derri, specialist ekonomie dhe finance, sipërmarrës dhe ekspert kontabël, foli për ekonominë shqiptare, duke bërë krahasimin e saj me vendet e rajonit për periudhën 2015-2020.
Takimi vijoi me pyetje-përgjigje mes panelistëve rreth ecurisë dhe perspektivës së ekonomisë shqiptare në të ardhmen, borxhit publik, investimeve, etj.
“Dritarja e mundësive” – Nisma më e fundit e studentëve master
“Dritarja e mundësive” është një platformë digjitale e krijuar për t'i ardhur në ndihmë të rinjve, të cilët janë në kërkim të një mundësie praktike, zhvillimi profesional apo punësimi. Gjithashtu, t’i informojë të interesuarit në lidhje me tregun e punës, mundësi praktikash profesionale e ofertash punësimi, mundësi për zhvillim individual nëpërmjet kurseve, seminareve e konferencave në fusha të ndryshme, të rejat më të fundit në drejtim të zhvillimit të profesioneve, intervista me njerëz të suksesshëm, etj.
Kjo nismë ndërmerret nga studentët e programeve master të Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër, në kuadër të lëndës Konceptim dhe Menaxhim Fushatash, nën udhëheqjen e pedagoges Edlira Mali.
Nëse jeni një biznes/institucion që dëshironi të ofroni mundësi dhe të njiheni me platformën, apo një i ri që dëshiron të mësojë se si kjo platformë mund t'ju vijë në ndihmë për të gjetur mundësinë tuaj, ju ftojmë të merrni pjesë, duke kryer regjistrimin tuaj në linkun: https://bit.ly/3iSwIl5
Ju mirëpresim!
“Takim mes Brezash - Ata që dinë të bëjnë fushata”
Departamenti i Shkencave të Komunikimit në bashkëpunim me Zyrën e të Diplomuarve në Kolegjin Universitar Bedër zhvilluan aktivitetin “Takim mes Brezash - Ata që dinë të bëjnë fushata”.
Në këtë takim të organizuar nëpërmjet platformës “Google Meet” ishin të ftuar studentët e diplomuar në programet master, në profilet Gazetari dhe Marrëdhënie Publike, të cilët janë integruar shumë mirë në tregun e punës, në mediat dhe agjencitë e marketingut më të mëdha në vend, si dhe jashtë vendit tonë, si SHBA, Zvicër, Itali, etj.
Takimi u zhvillua në kuadër të lëndës “Konceptim dhe menaxhim fushatash”, e cila zhvillohet në studimet e nivelit master. Gjatë këtij takimi, të diplomuarit treguan eksperiencat e tyre në këtë lëndë kur ishin studentë. Ata ndanë me njëri-tjetrin emocionet e përjetuara në secilën fushatë të ndërmarrë në kuadër të kësaj lënde, si dhe folën për rëndësinë dhe vlerën e saj kur përballesh me tregun.
Gjatë bisedave ndërmjet tyre, studentët ranë dakord që secila fushatë fillon në kuadër të një lënde dhe më tej shndërrohet në një sfidë e emocion dhe merr përmasa kombëtare.
Përgjatë takimit u diskutuan fushatat:
"Libri është i vetmi Kopsht që Mbillet për të Tjerët";
“Një fije floku për më shumë buzëqeshje”;
“Unë refuzoj të hesht. Bëje dhe ti, voto!”;
“Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore”;
“Një libër më shumë për Preshevën”;
“Ruaj Traditën, Festo Shqip!”;
“Njih tokën tënde, vizito Shqipërinë!”
Si dhe për fushatën e këtij viti, e cila po fillon.
Kujtojmë që këto fushata të zhvilluara kanë marrë përmasa kombëtare dhe kanë bërë bashkë personalitetet më të mëdha të kulturës, artit, muzikës, politikës, për të arritur qëllimet e fushatave për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave morale dhe kombëtare.
Organizohet “Bedër Alumni Awards 2020”
Kolegji Universitar Bedër organizoi për të katërtin vit radhazi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për të diplomuarit. Edhe pse e aktiviteti u zhvillua në mënyre të kombinuar me platformën Zoom, morën pjesë të diplomuar, stafi akademik dhe administrativ që ka dhënë kontributin ndër vite për universitetin, si dhe figura te shquara nga fusha e artit, medias dhe edukimit.
Ceremoninë e hapi Dekani i Studentëve Z. Surja Shehi, i cili, pasi falënderoi pjesëmarrësit theksoi rolin dhe rëndësinë që ka Dekanati në jetën sociale të studentëve dhe në lidhjen mes tyre dhe institucionit. “Në fokusin e Kolegjit Universitar Bedër, ka qenë, është, dhe do të jetë, studenti, zhvillimi dhe rritja e tij si akademike ashtu edhe profesionale”, tha ndër të tjera z. Shehi.
Më pas fjalën e mori Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili tregoi për lidhjen e institucionit me të diplomuarit. Ndër të tjera, ai tha se ky aktivitet është një forme motivimi, sidomos në kohën ku po jetojmë, që mbështet të diplomuarit dhe suksesin e tyre. Gjithashtu, Prof. Gjana cilësoi mbështetjen që të diplomuarit i japin njëri-tjetrit, duke qenë shembull i suksesit në emër të arritjeve të përbashkëta.
Më tej fjalën e mori përgjegjësi i Zyrës së të Diplomuarve, Z. Alban Tufa. Ai tha se kjo zyrë, nën shembullin e universiteteve perëndimore, synon të forcojë marrëdhëniet mes universitetit dhe të diplomuarve, duke zhvilluar aktivitete dypalëshe. Ai u shpreh se eksperiencat e të diplomuarve në fushën profesionale janë një mbështetje për institucionin dhe jo vetëm.
Në kuadër të vlerësimit të kandidaturave të paraqitura për çimimet “Bedër Alumni 2020”, fituesit ishin:
“Career Award”: Dudi Ilias
“Bedër Award”: Ermal Qori
“Eagle Award”: Valon Gashi
“Woman Empowerment Award”: Xhulja Marashi
“H. Vehbi Dibra Award”: Majto Kamo
“Çmim Mirënjohjeje”: Alush Kola
Të diplomuari përshëndetën me fjalën e tyre dhe ndanë ndjesitë dhe mendimet rreth çmimeve, apo vlerësimeve që ata morën.
Përgjatë mbrëmjes, aktori i mirënjohur Sokol Angjeli, lexoi për të ftuarit poezi të poetit të shquar Vathë Koreshi, të cilat bënin thirrje për të mos e harruar vendin, pragun, tokën amë.
Këto ceremoni iu përkasin praktikave të ndjekura nga universitete të tjera të mirënjohura si një formë rikthimi të ish-studentëve në gjiret e institucioneve të arsimimit, tanimë si kolegë të fushave përkatëse.