Zhvillohet konkursi: “Të kërcejmë mes valleve dhe melodive popullore shqiptare”
Në kuadër të fushatës “Ruaj Traditën, Festo Shqip”, studentët e vitit të dytë master në profilin Marrëdhënie me Publikun realizuan konkursin me temë: “Të kërcejmë mes valleve dhe melodive popullore shqiptare”.
Konkursi u hap me valltarët e ansamblit Trad Folk, ansambël i drejtuar nga koreografi Bujar Gorenca, pjesëmarrës në shumë koncerte kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilët sollën një kolazh vallesh që përshkonte trojet shqiptare nga jugu në veri.
Grupi artistik i shkollës “Isa Boletini” konkurroi me vallen e Rrajcës dhe vallen e Tropojës. Lindita Kaimi dhe Ansambli Alba i drejtuar prej saj, sollën vallen e Tiranës dhe një valle me motive Veriu.
Gjimnazi “Besnik Hidri” solli pak hijeshi Tropoje, me një valle të kësaj treve. Ndër të tjera ansambli "Folk Alb", i drejtuar nga koreografi Avni Ndreu, kishte përgatitur valle që nga Çamëria deri në Rugovë. Konkursin e valleve e mbylli grupi "Zumba with Fatilda", grup i cili zbukuroi sallën duke shëtitur përmes valleve nga Tropoja në Çamëri.
Në përfundim të konkursit "Të kërcejmë mes valleve dhe melodive popullore shqiptare" u ndanë disa çmime, të ofruara nga sponsorët e këtij aktiviteti të studentëve të Kolegjit Universitar Bedër, të cilët ishin: Kinema Cineplexx, Agjencia Turstike “Magic M Travel”, Studio “Besnik Ramaj Photography”, “Infinit Gifts”, “Creative Event”, “Kamela”, “Auto Bebi”, “New Media Communications”, “Index”, “Creative Event”, etj.
Ndërkohë juria ishte e përbërë nga Genc Kastrati, koreograf pranë Ansamblit Kombëtar, Isida Mollaymeri, balerinë e Teatrit të Operas dhe Baletit, si dhe Liljana Cingu, valltare e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Zhvillohet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare në Studimet Islame
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjit Universitar Bedër zhvilloi Konferencën e Dytë Ndërkombëtare në Studimet Islame (ISCON), me temë: “Roli i gruas në shoqërinë moderne sipas këndvështrimit Islam”. Kjo konferencë u zhvillua në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe me Këshillin Botëror të Komuniteteve Myslimane. Konferenca mblodhi së bashku studiues nga vende të ndryshme të botës, akademikë, përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe studentë.
Në seancën përshëndetëse ishin të pranishëm H. Skender Bruçaj, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Rektor i Kolegjit Universitar Bedër, Dr. Mohammed Bechari, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane, si dhe znj. Loreta Aliko, Kryetare e Komitetit Shtetëror për Kultet.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i KMSH-së, z. Bruçaj, u ndal në punën dhe kontributin e deritanishëm të institucionit që ai përfaqëson në ndërgjegjësimin e shoqërisë për rëndësinë dhe rolin jetik të gruas në stabilitetin dhe progresin e shoqërisë sonë.
“Në Shqipëri femrat myslimane janë aktive në jetën shoqërore në role të ndryshme, si mësuese, mjeke, inxhiniere, politikane etj, duke ofruar një model dhe një kontribut të rëndësishëm në progresin dhe mbarëvajtjen e shoqërisë sonë. Por, nga ana tjetër, është për të ardhur keq kur sheh se akoma ndeshemi me problemin e dhunës ndaj gruas, dhunës në familje, fakt ky që është një ndër shkaqet kryesore të numrit e lartë të divorceve në vend. Prandaj le të shërbejë kjo konferencë si një tjetër kontribut i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të rolit të gruas në të gjitha sferat e shoqërisë”, tha z. Bruçaj gjatë fjalës së tij.
Sesioni vazhdoi më tej me fjalën përshëndetëse të Rektorit të Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili u përqendrua në kontekstin historik të zhvillimit të figurës së gruas në shoqërinë tonë ndër vite.
“Po të hedhim vështrimin pas dhe të shohim rrethanat historike të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, figura e gruas shfaqet në përpjekje të përhershme për të fituar të drejtat e saj në familje dhe në shoqëri. Nisur nga kjo mendoj se të gjithë duhet të kontribuojmë, në forma dhe mënyra të ndryshme, për barazinë e gruas në të gjitha aspektet e jetës sociale. Mendoj se punimet e kësaj konference, ashtu si e shumë platformave të tjera të ngjashme të zhvilluara më parë, do të kontribuojnë akoma më shumë në konsolidimin e mëtejshëm të gruas në të gjitha sferat e jetës publike e sociale të shekullit në të cilin jetojmë”, theksoi Prof. Dr. Ferdinand Gjana.
Ndërsa Dr. Mohammed Bechari, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane, si përfaqësues i këtij komuniteti në punimet e konferencës së sotme, falënderoi për bashkëpunimin Kolegjin Universitar Bedër dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, për bashkëpunimin në trajtimin e një teme kaq të veçantë, jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe atë globale gjithashtu.
“Referuesit e sotëm do të hedhin dritë mbi tematika të ndryshme që prekin përfshirjen social-kulturore të gruas myslimane në shoqërinë ku ato jetojnë. Një pikë mjaft e rëndësishme e kësaj konference është edhe evidentimi i zgjidhjeve më të aplikueshme për çdo problematikë aktuale të rolit të femrës në shoqërinë e shekullit 21”, tha Dr. Mohammed Bechari.
Më tej znj. Loreta Aliko, Kryetares së Komitetit Shtetëror për Kultet, ndau me të pranishmit fjalën e saj përshëndetëse.
“Gratë përfaqësojnë një kontingjent të çmuar për çdo sistem politiko - ekonomik, për vetë bagazhin e tyre intelektual, për intuitën e natyrshme që mbartin, për energjitë e pashtershme që posedojnë. Fuqizimi i gruas është parësor për zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë, të hapur dhe gjithëpërfshirëse dhe për përshpejtimin e rritjes ekonomiko - sociale”, tha ndër të tjera znj. Loreta Aliko.
Konferenca u zhvillua më tej me referimin e temave të ndryshme që preknin aspekte të shumëllojshme të rolit të gruas sipas këndvështrimit Islam në shoqërinë e shekullit 21, të tilla si: “Kontributi patriotik, emancipues dhe kulturor i gruas myslimane në historinë e Shqipërisë”, “Divorci dhe dhuna në familje, plagë të shoqërisë moderne”, “Roli gruas në edukimin e brezave, bazuar në revistat kulturore islame”, “Analizë sociologjike e fesë, edukimit dhe familjes: shembulli i rolit të gruas në Islam”, etj.
Simpoziumi i VII Akademik Ndërfetar “Maria/Merjemi, si simbol i virtytit dhe i devotshmërisë”
Simpoziumi i VII-të Ndërfetar në fushën akademike, vjen tashmë si një traditë bashkëpunimi ndërfetar midis përfaqësuesve universitarë të tre shkollave të larta akademike teologjike në Shqipëri, Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër”, Akademia Teologjike Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës dhe Instituti Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian “Zonja e Këshillit të Mirë”, ku mblodhi së bashku drejtues, lektorë, studentë dhe përfaqësues të tre institucioneve arsimore.
Fillimisht simpoziumin e ka përshëndetur, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Bedër, i cili e ka lidhur figurën e Hz. Merjemit/Marisë me trashëgiminë tonë kombëtare në fushën e kulturës dhe të letërsisë për rolin e gruas dhe me gjerë.
“Na ka thirrur në këtë tubim akademik ndërfetar nevoja e përhershme për të komunikuar mes vedi për gruan si simbolikë apo për simbolin grua, sepse ndiejmë nevojën të kuptojmë misterin grua në besimet monoteiste, përcjellë dhe në jetën fizike”, tha ndër të tjera prof. Ombashi.
Më pas në simpoziumin e moderuar nga Dr. Genti Kruja, kanë mbajtur referimet dhe kumtesat e tyre përfaqësues nga tre shkollat e larta teologjike, Z. Dhimitër Qosja nga Akademia Teologjike Ortodokse, Shën Vlash, Durrës, Znj. Mimoza Jaku nga Instituti Teologjik Katolik (Seminari Ndërdioqezian), Shkodër dhe Znj. Lorela Shehu nga Departamenti i Shkencave Islame, Bedër, të cilët e kanë trajtuar figurën madhështore të Marisë/Merjemit në këndvështrimin e krishterë dhe islam, si një model frymëzues të virtytit, devotshmërisë dhe besimit shembullor ndaj Zotit, si Krijues dhe i Gjithëpishtetshëm.
Në mbyllje janë zhvilluar pyetje dhe diskutime nga pedagogë dhe studentë të tre teologjive rreth temës së simpoziumit.
Panel diskutimi "Ruaj traditën, festo shqip"
Një grup studentësh i Programit Master i Shkencave, dega Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun mblodhën në një tryezë të rrumbullakët, studiues si dhe artistë në kuadër të fushatës “Ruaj traditën, festo shqip”, për ndërgjegjësimin e të rinjve në ruajtjen e folklorit. Kjo fushatë është inicuar mbi bazat e një detyre kursi, në lëndën Konceptim dhe Menaxhim Fushatash.
Pedagogu i lëndës Ph. D. Edlira Mali është njëkohësisht edhe këshilltarja e studentëve gjatë këtij projekti, e cila ka orientuar studentët në çdo aktivitet të tyre.
Kryefjala e tryezës ishte rreziku i humbjes së trashëgimisë sonë folklorike. Studiuesit janë shprehur të shqetësuar në lidhje me vështirësinë e tejkalimit të folklorit nga brezi në brez. Duke i’u referuar bartësve, gati një zëri të gjithë ranë dakord mbi faktin se bartësit po humbasin, e ndërkohë po humbim edhe një trashëgimi kulturore.
Tryeza e rrumbullakët u moderua nga gazetarja e mirënjohur Anisa Ymeri, e cila iu bashkua fushatës së studentëve për përçimin e vlerave dhe traditave folklorike shqiptare, ndërkohë që studentja Beklie Koltraka prezantoi për të pranishmit konceptin e fushatës “Ruaj traditën, festo shqip”.
Menaxherja e fushatës studentja Donisa Perseku falenderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen ndërsa përmendi arsyet e ndërmarrjes së një fushate të tillë duke u nisur edhe nga nevojat e shoqërisë sonë për të ruajtur rrënjët e tyre.
Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, gjatë fjalës së tij përshëndetëse përgëzoi studentët për aktivitetin e organizuar. “Vlerë rinia, që rritet dhe edukohet me të gjitha komponentët e atij kombi”, shtoi më tej.
Gjatë bisedës u fol edhe për vlerat e jashtëzakonshme të folklorit dhe rëndësinë e trashëgimit të saj. Prof. Dr. Rahim Ombashi dha një mesazh shumë të vyer për të gjithë të pranishmit duke vënë në pah edhe rëndësinë e këtij takimi. “Marrim nisma të tilla sepse kemi mundësi e mbi të gjitha ndjejmë përgjegjësi për të ardhmen. Nuk harron shqiptari lahutën, traditën, pa ato do të ishte një diçka që ecte pa shpirt”, tha ndër të tjera. Ndërkohë shkrimtari i njohur Doc. Dr. Agron Tufa u ndal në elementët e veçantë të folklorit shqiptar të cilat i bëjnë rrënjët tona të thella dhe impresionuese për këdo që i përjeton.
Një pjesë të rëndësishme të takimit e zuri dhe rëndësia e lahutës, duke i’u referuar dhe ngjarjeve të fundit. Koleksionisti dhe instrumentisti Ermal Sela duke parë lahutat e vendosura mbi tryezë tha se tre prej tyre janë autentike shqiptare, duke bërë kështu dallimin mes lahutës shqiptare dhe asaj serbe. Ndër të tjera ai tha se për shkak të masivizimit po prodhohen lahuta serbe si të ishin shqiptare. Me këtë rast në tryezë ishin të ftuar dy lahutistë të njohur të cilët luajtën me veglat e tyre muzikore, Jonuz Delaj dhe Gjin Peplokaj.
Etnologia dhe antropologia Armanda Hysa u shpreh se folklori i vërtetë nuk gjendet në festivalet folklorike, por tek festat familjare dhe dasmat. Po ashtu edhe studiuesja Ilirjana Kaceli përmendi edhe ngjarjet historike me rëndësi për trashëgimin e kulturës sonë.
Ndërkaq Genc Kastrati, koreograf pranë Ansamblit të shtetit, foli për vallet popullore shqiptare duke treguar mbi veçantitë e tyre. “Vallet ballkanike karakterizohen nga lëvzje dinamike të këmbëve, ndërsa në vallen shqiptare, lëviz çdo gjymtyrë e trupit.” Më tej ai shton, edhe shpjegimin e fjalës valle, me anë të fjalës arbëreshe valë, duke shpjeguar përkatësisht ndjesinë që jep vallja shqipe, dinamike dhe elegante.
Ndërsa ish ballerina e ansamblit dhe koreografja, Lindita Kaimi veç nostalgjisë për konkurset e viteve të shkuara, si dhe kujtesës mbi disiplinën dhe kujdesin me të cilat kuroheshin vallet, na solli në vëmendje dhe larmishmërinë e kostumeve popullore shqiptare, si dhe ndryshimet që janë prezente edhe në fshatra shumë të afërt.
Fushatës së studentëve i është bashkuar edhe balerina e njohur e Teatrit të Operas dhe Baletit, Isida Mollaymeri e cila i ka mbështetur studentët në hapat e organizimit të aktiviteteve.
Fushata do të vazhdojë me një konkurs vallesh, ku ftohen të gjithë të interesuarit që të aplikojnë për të marrë pjesë. Fituesit e tre vendeve të para të konkursit do të kenë mundësi që të performojnë në një koncert madhështor me të ftuar personalitete të artit, si dhe çmime të tjera.