Konferenca ndërkombëtare mbi dialogun ndërfetar
Kolegji Universitar “Bedër” në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë, Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Kolegjin Universitar “Logos”, si dhe me komunitetet fetare në Shqipëri, organizuan Konferencën Ndërkombëtare mbi Dialogun Ndërfetar: “Shqipëria, Model i Bashkëjetesës Ndërfetare për Evropën?”
Në këtë konferencë morën pjesë kryetarët e komuniteteve fetare, klerikë, përfaqësues shtetërorë, akademikë, kërkues e teologë nga Shqipëria dhe Evropa. Konferenca u përshëndet nga ambasadori i Austrisë në Tiranë, z. Johann Sattler, Nunci Apostolik në Shqipëri, z. Charles John Brown dhe ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro.
Seanca e parë e Konferencës u moderua nga kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko, dhe në panel merrnin pjesë krerët e komuniteteve fetare: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, Kreu i Kishës ortodokse Anastas Janullatos, Kreu i Kishës Katolike, z. George Frendo, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, dhe Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore, z. Ylli Doçi.
Në fjalën e tij, kryetari i KMSH-së u shpreh se bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare në Shqipëri është tipar që rrjedh nga pranimi i diversitetit, respektit për përkatësinë e besimeve të ndryshme fetare dhe respektit për vlerat, historinë, dhe trashëgiminë tonë të përbashkët. “Themelimi i shtetit Shqiptar, krahas sakrificave të shumëllojshme, është fryt edhe i kësaj bashkëjetese dhe harmonie ndërfetare. Sepse mes përfaqësuesve kryesorë që kontribuan në formimin e shtetit Shqiptar ishin edhe prijësit fetarë të besimeve të ndryshme, apo edhe intelektualë të brumosur me besimet tradicionale fetare. Ne kemi trashëguar nga prijësit tanë fetarë, dashurinë për Zotin, për njeriun, dhe respektin për çdo qenie humane, pavarësisht ndasive që mund t’i karakterizojnë ata, si edhe detyrimin fundamental që të jemi në komunikim të vazhdueshëm me besimtarët e feve të tjera dhe te respektojme secilin ne pozicionin e tij”, tha ndër të tjera Bruçaj.
Në fund të këtij paneli kryetarët e komuniteteve fetare nënshkruan deklaratën e angazhimit të përbashkët për dialogun ndërfetar në Shqipëri.
Më pas konferenca vijoi me panelet e tjera, ku pedagogë nga të tria universitetet, teologë, studiues të huaj referuan me temat e tyre.
KU Bedër zhvillon ICESS 2018
Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit, Departamenti i Shkencave të Edukimit në Kolegjin Universitar “Bedër”, në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, organizoi për të gjashtin vit radhazi Konferencën Ndërkombëtare në Shkencat e Edukimit dhe në Shkencat Sociale: “Sfidat në Shkencat e Edukimit dhe në Shkencat Sociale për Shekullin e 21-të” .
Në konferencë morën pjesë rreth 40 referues nga 6 vende të ndryshme të botës. ICESS 2018 është një konferencë ndërkombëtare ndërdisiplinore, e cila sjell së bashku studiues, kërkues, lektorë dhe studentë të diplomuar për të shkëmbyer dhe ndarë me njëri-tjetrin eksperiencat dhe gjetjet e punës së tyre kërkimore, si dhe për të diskutuar mbi sfidat aktuale në fushën e shkencave të edukimit dhe të shkencave sociale dhe zgjidhjet e propozuara për tu përballur me këto sfida.
Punimet e konferencës u përshëndetën nga Dekania e Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit, dhe drejtuese e konferencës, Prof. As. Dr. Tidita Abdurrahmani, si dhe nga përgjegjësja e Departamentit të Edukimit në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, znj. Eranda Halluni, të cilat parashtruan disa nga problematikat që aktualisht shoqërojnë shkencat e edukimit dhe shkencat sociale në nivel institucionesh arsimore të arsimit të lartë dhe të arsimit parauniversitar.
Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana ndau me të pranishmit rëndësinë dhe frytin që ka organizimi i aktiviteteve të tilla në fushën e edukimit dhe të shkencave sociale dhe vuri theksin mbi rëndësinë e edukimit si promotor kryesor në zhvillimin e ekonomisë dhe sigurimin e stabilitetit social. Ai shprehu besimin e tij se konferenca do të dilte me rekomandime të vlefshme për t’iu përcjellë politikbërësve në fushën e edukimit dhe të shërbimit social.
Punimet e kësaj konference i përshëndetën edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që operojnë në fushën e arsimit në Shqipëri, përkatësisht znj. Blerina Celoaliaj, drejtoreshë programesh në “Save the Children Albania”, dhe znj. Brisida Jahaj, eksperte edukimi në “World Vision Albania”. Tematika të tilla si arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës, edukimi global dhe nevoja për të kontribuar në formimin universitar të mësuesve të ardhshëm, u sollën në qendër të diskutimeve të këtyre përfaqësueseve të shoqërisë civile.
Në fund znj. Jahaj, e ftuar në cilësinë e folëses kryesore parashtroi studimin e World Vision Albania mbi analfabetizmin funksional, duke e shoqëruar me rekomandime për ndërhyrje sistematike për ta pakësuar këtë fenomen.
Zhvillohet konferenca e parë ndërkombëtare në shkencat islame
Kolegjin Universitar “Bedër” në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqiptarisë organizuan sot Konferencën e Parë Ndërkombëtare në Shkencat Islame me temë: “Sfidat e myslimanëve në shoqërinë e shekullit XXI”.
Konferenca e zhvilluar në ambientet e KU Bedër mblodhi së bashku rreth 40 akademikë të fushave të ndryshme, të ardhur nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina etj.
Konferenca trajtoi problemet aktuale shoqërore të myslimanëve kudo në botë, duke ofruar zgjidhje me një vizion të qartë islam dhe social në dobi të integrimit të myslimanëve në shoqëritë ku jetojnë, duke u bërë faktor stabiliteti, paqeje dhe shprese për çdo vend.
Në fjalën e tij të hapjes, Kryetari i Konferencës, njëkohësisht edhe Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në “Bedër”, Dr. Genti Kruja, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve në aktivitet, u ndal në rëndësinë e trajtimit të problematikave të besimit Islam kudo në botë në platforma të tilla shkencore.
“Ndër sfidat më të mëdha, që përballet sot njerëzimi në përgjithësi dhe myslimanët në veçanti, pikë së pari vjen arsimimi dhe edukimi, të cilat lënë për të dëshiruar në shumicën e vendeve me popullsi myslimane. Myslimanët duhet t’i kthehen me urgjencë arsimimit dhe edukimit me frymën dhe edukatën islame, të gërshetuar me shkencat ekzakte dhe sociale bashkëkohore, sepse nga dituria dhe dija nuk vjen asnjë dëm, por vetëm se dobi, përparim, kulturë, mirëqenie dhe bashkëjetesë paqësore”, tha Dr. Kruja.
Ceremonia e hapjes vazhdoi më tej me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, i cili u shpreh entuziast për kontributin e akademikëve pjesëmarrës në gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme për një pjesë të problematikave aktuale të besimit Islam në Shqipëri, vendet fqinje e më gjerë.
“Para një shekulli, një dijetar mysliman i asaj kohe, theksonte se problematikat kryesore të myslimanëve janë tre: E para, varfëria, që i ka kapluar; e dyta, injoranca dhe mungesa e dijes; e treta, përçarja mes tyre. Pavarësisht se ka kaluar një shekull, duket se këto probleme vazhdojnë të jenë të pazgjidhura, madje janë shtuar e thelluar. Pikërisht kjo duhet të jetë sfida jonë kryesore si myslimanë, të përmirësojmë sa më shumë gjendjen tonë në aspektin shpirtëror, shkencor, kulturor e ekonomik dhe, si rrjedhojë, të shoqërisë në të cilën jetojmë. Lusim Allahun, që kjo konferencë, si një përpjekje modeste, të shërbejë për të hedhur dritë mbi sfidat që përmendëm dhe të japë zgjidhjet e duhura për problematikat e sotme”- theksoi ai gjatë fjalës së tij.
Më tej fjalën e mori Kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, Loreta Aliko, e cila vlerësoi institucionet që bashkëpunuan në organizimin e kësaj konference. Znj. Aliko u ndal në politikat mbështetëse të institucionit që ajo drejton në sigurimin e të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimit në vendin tonë.
“Konferenca e sotme, por edhe organizime të tilla të ngjashme që janë zhvilluar në vitet e mëparshme, janë dëshmi e qartë se institucionet e kultit në vendin tonë po bëjnë një punë mjaft të madhe në ruajtjen e vlerave dhe traditave të të parëve tanë në konsolidimin e mëtejshëm të shoqërisë me vlera morale universale. Në këtë aspekt, mbështetja e Komunitetit të Kulteve do të jetë e pakushtëzuar sepse identifikimi dhe zgjidhja e problemeve identitare është në të mirën tonë të përbashkët”, përfundoi ajo.
Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe u shpreh entuziast për punimet e studiuesve pjesëmarrës, vuri theksin mbi gjendjen aktuale të myslimanëve sot në botë.
“Është detyrë dhe përgjegjësi parësore e të gjithëve ne, e myslimanëve kudo në botë, që fillimisht ta kuptojmë dhe jetojmë drejtë Islamin, ashtu siç është ai ne vetvete, paqësor dhe tolerant, e më pas të japim kontribut sado të vogël në qarqet e ngushta lokale me organizime të tilla të ngjashme”, tha në fjalën e tij Rektori i KU Bedër.
Pas përfundimit të fjalëve përshëndetëse, Dr. Mustafa Ceriç, President i Kongresit Botëror Boshnjak, Sarajevë dhe njëkohësisht i ftuari special i kësaj konference, ndau me të pranishmit një sërë aspektesh aktuale të temës në fjalë.
“Ne na intereson të jetojmë dhe të punojmë bashkë për shkak të origjinës, autoktonisë në këto treva ballkanike, fesë, kulturës dhe traditës që ne ushqejmë. Shpreh mirënjohjen time ndaj kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe ndaj të gjithëve atyre të cilët me kontributin e tyre bënë të mundur organizimin e kësaj konference, sa të domosdoshme, aq edhe aktuale për nevojat e kohës në të cilën jetojmë. Ne si myslimanë jemi pjesë edhe e problemit edhe e zgjidhjes së situatës. Na takon ne të zgjedhim ku duam të jemi. Ne duhet të fillojmë të mësojmë të jetojmë të bashkuar në diversitet, ta respektojmë njëri-tjetrin ashtu siç themi që e duam për hir të Krijuesit”, tha Dr. Ceriç gjatë fjalës së tij.
Pas referimit të Dr. Ceriç, konferenca vazhdoi punimet në disa sesione paralele me tema të ndryshme, ku studiuesit pjesëmarrës ndanë me studentët dhe të ftuarit e tjerë të pranishëm tema të tilla si: “Arsimi fetar Islam në Shqipëri, përgjatë historisë”, “Roli i myslimanëve në shoqërinë evropiane”, “Përballja e Myslimanëve me Sprovën e Hipokrizisë në Shoqërinë e Shekullin XXI”, “Globalizmi, pluralizmi dhe kriza e identitetit”, “Domosdoshmëria e fesë në shoqërinë moderne” etj.
I kthyer tashmë në një traditë, u çel në ambientet e Pallatit të Kongreseve edicioni i 9-të i Panairit “Work & Study”, i organizuar nga Bashkia e Tiranës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë si dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve.
Ky panair i cili do të zhvillohet përgjatë datave 28-29-30 mars 2018, është një eveniment ku shpalosen mundësitë më të mira për studim dhe kërkesat aktuale të tregut të punës, me pjesëmarrjen e mbi 60 kompanive, institucioneve të ndryshme dhe universiteteve, ndër to dhe Kolegji Universitar “Bedër”.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes së panairit ishte Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj, si dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë z. Nikolin Jaka, personalitete këto të cilët mbajtën edhe fjalën e rastit gjatë hapjes së panairit.
Për tu informuar drejtpërsëdrejti rreth programeve tona të studimit, mundësive të studimit me bursë, programeve të shkëmbimit, kritereve të reja të regjistrimit në universitet apo procesit të aplikimit dhe gjithçka tjetër ju nevojitet, ju mirëpresim çdo ditë nga ora 09:00 deri në orën 21:00. Mos hezitoni të na vizitoni ne stendën tonë. #BederPromotionStand
Mbyllet me sukses fushata “Një libër më shumë për Preshevën”
Studentët e vitit të dytë të programit të masterit shkencor në Shkenca Komunikimi, Kolegji Universitar “Bedër”, mbyllën me sukses fushatën e tyre tremujore “Një libër më shumë për Preshevën”.
Të ftuar të veçantë të këtij aktiviteti ishin drejtuesit më të lartë të pushtetit lokal në zonat ku jetojnë shqiptarët në Serbi, konkretisht kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Shukri Ymeri, nënkryetarja Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, si dhe përfaqësuesi i Komunës së Preshevës, Almir Shaqiri. Nuk munguan edhe përfaqësues të botës akademike, gazetarisë dhe shoqërisë civile.
Aktiviteti ishte ideuar në formën e një programi kulturo-artistik, ku pati performanca të ndryshme në balet, interpretim dhe këngë. Të pranishmit patën mundësi të ndiqnin dy dokumentare të përgatitur mbi zonat ku jetojnë shqiptarët në Serbi, si dhe ekspozuan mbi të gjitha punën e bërë në fushatën nga studentët, të cilët konfirmuan mbledhjen e 2 mijë librave në shqip, të cilat do të shkojnë për bibliotekat në Preshevë dhe Bujanoc.
Fushata “Një libër më shumë për Preshevën” i kaloi objektivat fillestare për mbledhjen e një mijë librave, falë kontributit të qytetarëve shqiptarë, shkollave dhe shtëpive botuese. Por mbledhja e dy mijë librave dhe dhënia e një mesazhi solidariteti dhe vëllazërie për shqiptarët në Serbi nuk ishte i vetmi lajm i mirë në këtë aktivitet, pasi rektori i Kolegjit Universitar “Beder”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana ndau me të pranishmit vendimin e institucionit që ai drejton, për dhënien e 15 bursave studimi në vitin e ardhshëm akademik për studentët që vijnë nga Lugina e Preshevës.
Zyrtarët e lartë shqiptarë në Serbi, z. Shukri Ymeri dhe z. Shaip Kamberi shprehën falënderime të sinqerta për iniciativën e studentëve të Kolegjit Universitar “Bedër” për mbledhjen e librave shqip, duke e vlerësuar këtë si një nismë. Z. Ymeri dhe Kamberi e konsideruan një lajm të shkëlqyer vendimin për dhënien e 15 bursave të studimit nga Kolegji Universitar “Bedër” për nxënësit shqiptarë në Serbi dhe premtuan bashkëpunim edhe në të ardhmen me Kolegjin Universitar “Bedër”. Kreu i Komunës së Bujanovcit ftoi studentët e fushatës “Një libër më shumë për Preshevën” dhe drejtuesit e “Bedër” të vizitojnë këtë zonë.
Në fund grupi i studentëve që realizuan këtë fushatë dhe lektorja udhëheqëse Edlira Mali falënderuan të gjithë kontribuesit dhe lanë të hapur mundësinë që çdokush të vijojë të dhurojnë libra shqip për nxënësit në Luginën e Preshevës, të cilët prej vitesh vuajnë mungesën e teksteve shqip.