INDCOR në Kolegjin Universitar “Bedër”
Takimi i rradhës i projektit INDCOR (Interactive Narrative Design for Complexity Representations) u zhvillua në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”, gjatë datave 14-16 qershor. Projekti synon ndërtimin e një rrjeti për studimin ndërdisiplinor të narrativës digjitale.
Pjesëmarrësit u mirëpritën nga Dr. Erlis Çela, përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, i cili është njëkohësisht pjesë e projektit dhe anëtar në Bordin Drejtues të COST action.
Në ditën e parë të takimit, kërkuesit shkencorë u përshëndetën nga rektori, prof. Gjergj Sinani, i cili ndau me ta një prezantim të shkurtër rreth vizionit dhe strategjisë së ndërkombëtarizimit të KUB. Më tej, zv. rektori, Dr. Isa Erbas bëri një prezantim me temë “Sistemi Arsimor Shqiptar dhe Integrimi i Teknologjisë në Auditore”, i cili nxiti pyetje dhe diskutime midis të pranishmëve.
Gjatë seancave të organizuara, anëtarët diskutuan rreth ecurisë së punës dhe thelluan kërkimet e tyre për finalizimin e punimeve shkencore, që po përgatisin në kuadër të projektit.
Gjithashtu, grupi i kërkuesve shkencorë zhvilluan edhe një vizitë në televizionin A2 CNN, ku u pritën nga kryeredaktori i lajmeve z. Elert Yzeiri. Ai diskutoi me profesorët rreth aplikimit të narrativës digjitale në mediat shqiptare duke iu referuar konkretisht praktikës së punës në televizonin ku punon.
Anëtarët e projektit zhvilluan edhe vizita në muzeun “Bunk’Art” dhe “Shtëpia e Gjetheve”, ku u njohën nga afër me historinë e Shqipërisë gjatë periudhës së diktaturës dhe me pasojat e regjimit komunist te qytetarët. Profesorët ndanë me njëri-tjetrin eksperienca nga vendet e tyre dhe regjimet përkatëse duke i krahasuar me qasjen e komunizmit në Shqipëri.
Larmishmëria e origjinës së kërkuesve shkencorë nga Portugalia, Spanja, Gjermania, Hungaria, Kosova, Hollanda, Norvegjia, Sueida, Italia, Austria dhe Lituania mundësuan interaktivitet të lartë dhe shkëmbim eksperiencash të jashtëzakonshme.
Projekti INCDOR është ideuar në kuadër të COST action. Bashkëpunimi Eropian në Shkencë dhe Teknologji (COST) është organizatë financuese për ndërtimin e rrjeteve kërkimore, të quajtura COST Actions.
Shkolla Verore "Teknologjia Financiare dhe Ligji"
Kolegji Universitar Beder në bashkëpunim me Universitetin Tor Vergata në Romë, Itali, organizuan Shkollën Verore "Teknologjia Financiare dhe Ligji" me datë 12-13 Qershor 2023.
Ky event u zhvillua fizikisht pranë Kolegjit Universitar "Beder" dhe u ndoq online edhe nga studentët e Universitetit Tor Vergata.
Shkolla Verore u fokusua në domosdoshmërinë e ndërthurjes së leksioneve me bazë teorike dhe raste praktike në fushën e financës, teknologjisë dhe ligjit në ditët e sotme.
Rreth 50 pjesmarrës nga Departamentit të Ekonomisë dhe Departamentit të Drejtësisë të të dy universiteteve u njohen me zhvillimet më të fundit në teknologjinë financiare, impaktin që teknologjia do të ketë në sektorin financiar dhe domosdoshmërinë e kuadrit ligjor.
Lektorët e angazhuar në këtë event ishin:
Assoc. Prof. Gianluca Mattarocci, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti Tor Vergata
Assoc. Prof. Elisabetta Corapi, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti Tor Vergata
MSc. Drita Maluta, Banka e Shqipërisë
Ph.D Elda Dollija, Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit, Kolegji Universitar ‘Beder’
Ph.D Gentjan Skara, Departamenti i Drejtësisë, Kolegji Universitar ‘Beder’
Ph.D (c) Kriselda Gura, Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit, Kolegji Universitar ‘Beder’