Organizohet “Bedër Alumni Awards 2020”
Kolegji Universitar Bedër organizoi për të katërtin vit radhazi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për të diplomuarit. Edhe pse e aktiviteti u zhvillua në mënyre të kombinuar me platformën Zoom, morën pjesë të diplomuar, stafi akademik dhe administrativ që ka dhënë kontributin ndër vite për universitetin, si dhe figura te shquara nga fusha e artit, medias dhe edukimit.
Ceremoninë e hapi Dekani i Studentëve Z. Surja Shehi, i cili, pasi falënderoi pjesëmarrësit theksoi rolin dhe rëndësinë që ka Dekanati në jetën sociale të studentëve dhe në lidhjen mes tyre dhe institucionit. “Në fokusin e Kolegjit Universitar Bedër, ka qenë, është, dhe do të jetë, studenti, zhvillimi dhe rritja e tij si akademike ashtu edhe profesionale”, tha ndër të tjera z. Shehi.
Më pas fjalën e mori Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili tregoi për lidhjen e institucionit me të diplomuarit. Ndër të tjera, ai tha se ky aktivitet është një forme motivimi, sidomos në kohën ku po jetojmë, që mbështet të diplomuarit dhe suksesin e tyre. Gjithashtu, Prof. Gjana cilësoi mbështetjen që të diplomuarit i japin njëri-tjetrit, duke qenë shembull i suksesit në emër të arritjeve të përbashkëta.
Më tej fjalën e mori përgjegjësi i Zyrës së të Diplomuarve, Z. Alban Tufa. Ai tha se kjo zyrë, nën shembullin e universiteteve perëndimore, synon të forcojë marrëdhëniet mes universitetit dhe të diplomuarve, duke zhvilluar aktivitete dypalëshe. Ai u shpreh se eksperiencat e të diplomuarve në fushën profesionale janë një mbështetje për institucionin dhe jo vetëm.
Në kuadër të vlerësimit të kandidaturave të paraqitura për çimimet “Bedër Alumni 2020”, fituesit ishin:
“Career Award”: Dudi Ilias
“Bedër Award”: Ermal Qori
“Eagle Award”: Valon Gashi
“Woman Empowerment Award”: Xhulja Marashi
“H. Vehbi Dibra Award”: Majto Kamo
“Çmim Mirënjohjeje”: Alush Kola
Të diplomuari përshëndetën me fjalën e tyre dhe ndanë ndjesitë dhe mendimet rreth çmimeve, apo vlerësimeve që ata morën.
Përgjatë mbrëmjes, aktori i mirënjohur Sokol Angjeli, lexoi për të ftuarit poezi të poetit të shquar Vathë Koreshi, të cilat bënin thirrje për të mos e harruar vendin, pragun, tokën amë.
Këto ceremoni iu përkasin praktikave të ndjekura nga universitete të tjera të mirënjohura si një formë rikthimi të ish-studentëve në gjiret e institucioneve të arsimimit, tanimë si kolegë të fushave përkatëse.
Zhvillohet Konferenca VI Ndërkombëtare në Shkenca Humane
Fakulteti i Shkencave Humane në Kolegjin Universitar “Bedër” zhvilloi Konferencën e Gjashtë Ndërkombëtare në Shkenca Humane, me temë: “Studimet gjinore, Ligji, Media dhe Shoqëria”.
Konferenca mblodhi edhe këtë vit së bashku akademikë, studiues, ekspertë e profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët ndanë eksperiencat dhe përfundimet e tyre kërkimore. Punimet e konferencës u përqendruan kryesisht mbi rolin e ligjit, medias dhe shoqërisë kundrejt barazisë gjinore.
Në fjalën e hapjes, Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Dr. Rrahim Ombashi, përshëndeti dhe uroi të ftuarit dhe pjesëmarrësit në konferencë. Më tej, në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë që ka femra në shoqërinë shqiptare, si dhe rolin e saj në historinë dhe traditën tonë.
Ndërsa Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Dr. Robert Gajda, preku çështjet dhe aspektet ligjore në lidhje me gjininë. Ai theksoi rëndësinë e ligjit në këto çështje, duke e parë atë jo vetëm si detyrim, por edhe si kulturë jetese. Më tej ai u shpreh se ligji është i mirë por ka disa probleme në zbatim.
Konferencën e përshëndeti edhe këshilltarja e Avokatit të Popullit, znj. Jorida Rustemi. Ajo theksoi rolin e medias në tërësi dhe të medias sociale në veçanti në edukimin gjinor. Znj. Rustemi tha se media sociale prevalon në formimin apo edukimin e të rinjve dhe këto konferenca kanë rëndësi të madhe në studimet sociale. Më tej, ajo preku çështjet e gjinisë në emërimet e posteve dhe profesioneve.
Ndërsa Prof. Dr. Ayhan Tekines, i ardhur nga Vjena posaçërisht për Konferencën, cilësoi dy koncepte kryesore që lidhen me gjininë: sigurinë dhe diskriminimin. Sipas Prof. Tekines, diskriminimi e ka shmangur vëmendjen e njerëzve nga siguria, duke u shndërruar në cenuesin më të madh të saj. Më tej ai foli për lidhjen mes identitetit, sigurisë dhe diskriminimit.
Nga ana tjetër, Prof. Dr. Gjergj Sinani ligjëroi mbi lirinë e shtypit dhe rolin e tij në demokraci. Më tej ai trajtoi edhe rolin e shtypit në sistemet diktatoriale duke sjellë një përqasje interesante.
Pas sesionit të hapjes ku ishin të pranishëm një sërë personalitetesh të fushës akademike, fushës së medias e më gjerë, konferenca zhvilloi punimet e saj në disa sesione të tjera.
Konferenca e pestë Studentore në Shkenca Komunikimi
Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar "Bedër", zhvilloi Konnferencën e Pestë Studentore në Shkenca Komunikimi. Hapja u bë nga Kryetari i Konferecës, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar "Bedër" Dr. Erlis Çela i cili përshëndeti dhe përgëzoi pjesëmarrësit për seriozitetin dhe agazhimin e treguar. Më tej ai shpjegoi se cilat janë sipas studiuesve trendet e reja në gazetari dhe komunikim në përgjithësi si dhe rëndësinë e kërkimit shkencor në këtë fushë.
Ndërsa në fjalën e tij përshendetëse, Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në KUB, Prof. Assoc. Dr. Rahim Ombashi, theksoi rëndësinë që ka profesioni në jetën e njeriut. Ndër të tjera ai e cilësoi profesionin si element kyç në jetën tonë. Pas tij përshëdetën edhe lektoret e Departamentit Dr. Edlira Mali dhe Dr. Ardita Reçi.
Më pas, në katër sesione paralele referuan 33 studentë nga katër univeristete: Kolegji Universitar "Bedër", Universiteti i Tiranës, Universiteti "Aleksandër Moisiu" Durrës dhe Univeristeti i Vlorës. Ata referuan mbi tema të ndryshme nga Gazetaria, Komunikimi Organizativ, Mediat e reja, Marektingu dhe Marrëdhëniet Publike.
Në mbyllje të Konfernecës, referuesit u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje.
Në fund komisioni vlerësoi si punimet më të mira temat:
"Fushatat elektorale dhe MP-të; Rasti i Kosovës" të Elion Kollçkaut, student i nivelit master në Universitetin e Tiranës.
"Chatbot – Trendi i ri i komunikimit digjital me audiencën: Perspektiva e përdorimit nga bizneset shqiptare" të Kristi Mukollarit, student i vitit të tretë në Shkenca Komunikimi në Kolegjin Universitar "Bedër".
Zhvillohet Konferenca e dytë Studentore në shkenca Islame
Studentët e Departamentit të Shkencave Islame organizuan sot konferencën e dytë studentore në Shkenca Islame, me temë: “Aspektet intelektuale në revistën Kultura Islame1939-1946”.
Në këtë konferencë u diskutua rreth historikut, vlerës dhe objektivave të kësaj reviste, ku morën pjesë nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, drejtori i Medresesë së Tiranës, profesorë dhe studentë të KU Bedër, si dhe nxënës nga Medreseja e Tiranës.
Konferenca u çel me lexim Kur’ani nga studenti Abdullah Ziba dhe më pas fjalën përshëndetëse e mori përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame, Dr. Genti Kruja, cili bëri një prezantim të përgjithshëm rreth shtypit dhe periodikut mysliman pas shpalljes së Pavarësisë.
Nënkryetari i KMSh-së, z. Lauren Luli foli për sfidat që kanë kaluar vit pas viti organet e Komunitetit Mysliman dhe në veçanti shtypi islam. Po ashtu ai foli mbi nevojën e njohjes së revistave të vjetra, të cilat do ta pasurojnë botën tonë me historitë dhe kontributin që kanë lënë paraardhësit tanë.
Fjalën përshëndetëse e mori dhe drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Ali Zaimi, i cili fjalimin e tij e fokusoi në rolin që luajnë periodikët në jetën e të rinjve, kontributin që ata mund të shfaqin me talentet e tyre, etj.
Më pas konferenca vijoi punën me dy seanca, ku studentët referuan lidhur me punimet e tyre.
Zhvillohet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare në Studimet Islame
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjit Universitar Bedër zhvilloi Konferencën e Dytë Ndërkombëtare në Studimet Islame (ISCON), me temë: “Roli i gruas në shoqërinë moderne sipas këndvështrimit Islam”. Kjo konferencë u zhvillua në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe me Këshillin Botëror të Komuniteteve Myslimane. Konferenca mblodhi së bashku studiues nga vende të ndryshme të botës, akademikë, përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe studentë.
Në seancën përshëndetëse ishin të pranishëm H. Skender Bruçaj, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Rektor i Kolegjit Universitar Bedër, Dr. Mohammed Bechari, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane, si dhe znj. Loreta Aliko, Kryetare e Komitetit Shtetëror për Kultet.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i KMSH-së, z. Bruçaj, u ndal në punën dhe kontributin e deritanishëm të institucionit që ai përfaqëson në ndërgjegjësimin e shoqërisë për rëndësinë dhe rolin jetik të gruas në stabilitetin dhe progresin e shoqërisë sonë.
“Në Shqipëri femrat myslimane janë aktive në jetën shoqërore në role të ndryshme, si mësuese, mjeke, inxhiniere, politikane etj, duke ofruar një model dhe një kontribut të rëndësishëm në progresin dhe mbarëvajtjen e shoqërisë sonë. Por, nga ana tjetër, është për të ardhur keq kur sheh se akoma ndeshemi me problemin e dhunës ndaj gruas, dhunës në familje, fakt ky që është një ndër shkaqet kryesore të numrit e lartë të divorceve në vend. Prandaj le të shërbejë kjo konferencë si një tjetër kontribut i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të rolit të gruas në të gjitha sferat e shoqërisë”, tha z. Bruçaj gjatë fjalës së tij.
Sesioni vazhdoi më tej me fjalën përshëndetëse të Rektorit të Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili u përqendrua në kontekstin historik të zhvillimit të figurës së gruas në shoqërinë tonë ndër vite.
“Po të hedhim vështrimin pas dhe të shohim rrethanat historike të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, figura e gruas shfaqet në përpjekje të përhershme për të fituar të drejtat e saj në familje dhe në shoqëri. Nisur nga kjo mendoj se të gjithë duhet të kontribuojmë, në forma dhe mënyra të ndryshme, për barazinë e gruas në të gjitha aspektet e jetës sociale. Mendoj se punimet e kësaj konference, ashtu si e shumë platformave të tjera të ngjashme të zhvilluara më parë, do të kontribuojnë akoma më shumë në konsolidimin e mëtejshëm të gruas në të gjitha sferat e jetës publike e sociale të shekullit në të cilin jetojmë”, theksoi Prof. Dr. Ferdinand Gjana.
Ndërsa Dr. Mohammed Bechari, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane, si përfaqësues i këtij komuniteti në punimet e konferencës së sotme, falënderoi për bashkëpunimin Kolegjin Universitar Bedër dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, për bashkëpunimin në trajtimin e një teme kaq të veçantë, jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe atë globale gjithashtu.
“Referuesit e sotëm do të hedhin dritë mbi tematika të ndryshme që prekin përfshirjen social-kulturore të gruas myslimane në shoqërinë ku ato jetojnë. Një pikë mjaft e rëndësishme e kësaj konference është edhe evidentimi i zgjidhjeve më të aplikueshme për çdo problematikë aktuale të rolit të femrës në shoqërinë e shekullit 21”, tha Dr. Mohammed Bechari.
Më tej znj. Loreta Aliko, Kryetares së Komitetit Shtetëror për Kultet, ndau me të pranishmit fjalën e saj përshëndetëse.
“Gratë përfaqësojnë një kontingjent të çmuar për çdo sistem politiko - ekonomik, për vetë bagazhin e tyre intelektual, për intuitën e natyrshme që mbartin, për energjitë e pashtershme që posedojnë. Fuqizimi i gruas është parësor për zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë, të hapur dhe gjithëpërfshirëse dhe për përshpejtimin e rritjes ekonomiko - sociale”, tha ndër të tjera znj. Loreta Aliko.
Konferenca u zhvillua më tej me referimin e temave të ndryshme që preknin aspekte të shumëllojshme të rolit të gruas sipas këndvështrimit Islam në shoqërinë e shekullit 21, të tilla si: “Kontributi patriotik, emancipues dhe kulturor i gruas myslimane në historinë e Shqipërisë”, “Divorci dhe dhuna në familje, plagë të shoqërisë moderne”, “Roli gruas në edukimin e brezave, bazuar në revistat kulturore islame”, “Analizë sociologjike e fesë, edukimit dhe familjes: shembulli i rolit të gruas në Islam”, etj.