Studentët e Departamentit të Drejtësisë, vizitë në Kryesinë e Kuvendit
Studentët e Departamentit të Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër zhvilluan ditën e sotme një vizitë në Kryesinë e Kuvendit në kuadër të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Gjatë kësaj vizite studentët morën pjesë në aktivitetin më temë “Kuvendi i Vlorës”, organizuar nga Instituti Parlamentar.
Takimin e hapi Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Parlamentar, z. Elvin Gjevori, i cili i njohu të pranishmit me disa nga aktivitetet kryesore të Institutit dhe në mënyrë të veçantë veprimtaritë në kuadrin e 110-vjetorit të Pavarësisë.
Aktivitetin e përshëndeti Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla e cila nënvizoi rëndësinë e njohjes së rinisë me një seri kumtesash e ligjëratash mbi aspekte të ndryshme të shpalljes së pavarësisë, momente me rëndësi historike, informacione arkivore, analiza të ngjarjeve dhe figurave të spikatura.
Ndërsa për rëndësinë e Kuvendit të Vlorës në shpalljen e pavarësisë dhe të ardhmen e Shqipërisë mbajti një ligjëratë Prof. Dr. Valentina Duka.
Takimi vijoi në formën e bashkëbisedimit mes Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, dhe Prof. Dr. Valentina Duka mbi rëndësinë e pavarësisë së Shqipërisë, aspekte të tjera të historisë së Shqipërisë dhe çështje aktuale të zhvillimit të vendit.
Më pas studentët vizituan ambientet e Kryesisë së Kuvendit dhe ndërtesën e seancave plenare.
Promovohet romani “Ngjyrat e Viteve” i shkrimtares Sonila Strakosha
Në ambientet e Kolegjit Universitar Bedër u promovua romani “𝐍𝐠𝐣𝐲𝐫𝐚𝐭 𝐞 𝐕𝐢𝐭𝐞𝐯𝐞” i shkrimtares Sonila Strakosha.
Shkrimtarja Sonila Strakosha bëri një prezantim të librit duke përcjellë tek pjesëmarrësit ndjesitë dhe përjetimet e saj gjatë kohës kur ka shkruajtur romanin. Gjithashtu gjatë bisedës u diskutua mbi artin e të shkruarit dhe rëndësinë e leximit dhe rolin që ka letërsia në ndërtimin e kujtesës dhe imagjinatës.
Gjatë prezantimit të librit lektorja e gjuhës dhe letërsisë angleze Dr. Edona Llukaçaj, lektorja e shkencave të komunikimit Dr. Brikena Smajli si dhe profesorë dhe studentë të gjuhës dhe letërsisë angleze dhe të shkencave të komunikimit ndanë përshtypjet dhe mendimet e tyre mbi romanin.
Romani “Ngjyrat e Viteve”, është një imazh i pangjyrë i Tiranës së viteve '80 dhe një adoleshente që rend rrugëve të heshtura me dëshirën për të zbuluar botën e ndaluar nëpërmjet ekranit të vogël, dhe ai veshur me zbehtësinë bardhë e zi të kohës. Ngjyrimet e imagjinatës do ta ndihmojnë Artën adoleshente të ëndërrojë përgjatë errësirës së turbullt të një periudhe të vështirë. Vitet ndërkohë kalojnë dhe Arta do ndjekë rrugën e vet. Por realiteti i përtej ekranit nuk është me aq ngjyra sa ajo e kishte imagjinuar.
Ky roman i ri i Sonila Strakoshës ndërton një urë mes dy periudhash në vend, mes dy realitetesh, dy gjuhësh, traditash e zakonesh të ndryshme. Por gjithçka duket se ravijëzohet me gri, në të gjithë nuancat e saj.
Sonila Strakosha u diplomua për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Ajo punoi për disa vite si mësuese e gjuhës shqipe dhe më vonë, u largua në Itali ku jetoi dhe punoi për rreth dy dekada.
Është autore e disa romaneve, botuar në Shqipëri e Itali, përfshi “Corinne”, ku preket tematika e dhunës kundër gruas, dhe “Jashtë Humnerës” ku fokusi janë përpjekjet e një gruaje në kërkim të vetvetes, përtej vështirësive e dhimbjeve me të cilat jeta e përballë.
Ajo është fituese e disa çmimeve në konkurse letrare organizuar në Itali dhe pjesë e antologjive letrare në vendin fqinj.