Bedër diplomon brezin e tetë të studentëve
Në një ceremoni festive të organizuar në Amfiteatrin e Liqenit Artificial, 278 studentë mbyllën me sukses rrugëtimin akademik duke u diplomuar në 8 programe bachelor dhe 6 master në Kolegjin Universitar Bedër.
Në ceremoni, krahas studentëve që u diplomuan dhe anëtarëve të stafit, të pranishëm ishin personalitete të ndryshëm nga vendi dhe jashtë, të ftuar, si dhe familjarë e të afërm të diplomuarve.
Në emër të institucionit, studentët i përshëndeti Rektori, Prof. Ferdinand Gjana, i cili i uroi suksese të mëtejshme në rrugëtimin profesional dhe në jetë. Të diplomuarit i uroi gjithashtu kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili theksoi dhe arritjet e Kolegjit Universitar Bedër në rrugëtimin 10-vjecar.
I ftuar special në këtë cermeoni ishte Kryetari i Organizatës Ndërkombëtare “Educators ëithout Borders”, Dr. Mohamed Albaili, i cili vlerësoi seriozitetin e institucionit dhe përkushtimin e stafit. Të pranishmit i përshendeti profesori dhe eksperti i drejtësisë, prof. Altin Shegani, duke shprehur bindjen se shumë shpejt Bedër do të jetë një nga institucionet më elitare edhe në rajon.
Aktiviteti vazhdoi më tej me shpërndarjen e certifikatave të ekselencës për studentët e parë të çdo programi studimi, të cilët mbajtën fjalën përshëndetëse para të pranishmëve në emër të diplomuarve për cdo departament.
Në përfundim të ceremonisë të gjithë studentët u ngjitën në skenë për të hedhur kapelet e diplomimit, duke përmbushur me sukses rrugëtimin e tyre në Kolegjin Universitar Bedër.
Bedër nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Elbasanit
Kolegji Universitar Bedër nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, me qëllim promovimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, rritjen e kapaciteteve të personelit akademik dhe studentëve, si dhe mbështetjen e ndërsjellë në realizimin e veprimtarisë në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë.
E nënshkruar nga Rektori i KUB, Prof. Dr. Ferdinand Gjana dhe nga Rektori i UE, Prof. Dr. Skender Topi, marrëveshja synon që të dy institucionet e arsimit të lartë të bashkëpunojnë në çdo kohë dhe ta shtrijnë bashkëpunimin në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre.
Gjithashtu marrëveshja do të lehtësojë marrëdhëniet ndërinstitucionale për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve të palëve, me synim komunikimin dhe shkëmbimin e personelit akademik, studentëve, informacioneve, ideve dhe eksperiencave që lidhen me fushat me interes të përbashkët.