Studentët e Drejtësisë në Bedër përfaqësojnë Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar Jessup
Urime studentëve të Departamentit të Drejtesisë, të cilët përfaqësuan Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar Philip C. Jessup International Law Moot Court Competition. Tashmë në vitin e tij të 60-të, Jessup është konkursi ndërkombëtar më i madh në botë për studentët e drejtësisë, me pjesëmarrës nga më shumë se 700 Universitete nga mbarë bota.
Raundet ndërkombëtare u zhvilluan me datë 31 Mars – 6 prill 2019, në Hyatt Regency në Kapitol Hill, Uashington, DC. Ekipi i studentëve të Kolegjit Universitar Bedër konkurroi me studentët nga Indonezia, Brazili, India dhe Iraku, dhe morrën sugjerime pozitive nga anëtarët e jurisë për përfomancën e treguar.
Ekipi përbëhej nga studentet Thoma Kristo, Razie Hela dhe Ines Sota, si dhe trajnerët Daniel Klingenberg dhe Albi Cela. Skuadra e "Bedër" është e vetmja nga Shqipëria që përfaqesohet në këtë kompeticion prestigjioz për të gjashtin vit radhazi, duke bërë një paraqitje mjaft dinjitoze.
Suksese!
Zyrtari Amerikan takim me studentët dhe të diplomuarit e KU Bedër
Shefi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Z. Brian Beckmann, zhvilloi një bashkëbisedim me studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar “Bedër”. Krahas studentëve në nivelin bachelor dhe master, pjesë e takimit ishin edhe ish-studentë të diplomuar nga ky departament, të angazhuar në media të ndryshme të vendit. Bashkëbisedimi u fokusua në temën: “Liria e medias, marrëdhënia me politikën dhe sfidat e gazetarëve në Shqipëri”.
Z. Beckmann gjatë fjalës së tij nënvizoi rëndësinë që ka liria e medias për zhvillimin e demokracisë dhe rolin e rëndësishëm që ajo luan duke thënë TË VËRTETËN. Ai gjithashtu vuri në dukje nevojën për një marrëdhënie transparente mes mediave dhe politikës, si një nevojë për informimin e drejtë dhe të pandikuar të publikut. Më pas, duke shprehur mbështetjen për punën që bëjnë gazetarët, Z. Beckmann theksoi sfidat e shumta me të cilët përballen gazetarët, mbi rolin që kanë pronarët e medias dhe interesat e tyre që mund të lidhen me politikën. Gjithashtu u nënvizua rëndësia e evidentimit dhe pasqyrimit të rasteve të korrupsionit, si edhe rolin thelbësor që ka gazetaria investigative për evidentimin dhe verifikimin e këtyre rasteve.
"Në qoftë se ju do të përpiqeni të nxirrni në pah të vërtetën, ju do të ndihmoni jo vetëm për t’i dhënë formë të ardhmes së Shqipërisë, por edhe të kontribuoni në një shoqeri që funksionon më mirë. Ju mund të informoni dhe t’i përgatisni fqinjët dhe bashkëqytetarët qytetarët tuaj duke ju dhënë atyre informacionin e nevojshëm për tu bëre qytetarë më të mirë." u tha z. Beckmann studentëve.
Më tej, kreu i zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane foli për rëndësinë e mediave lokale në pasqyrimin e problemeve të komunitetit, duke sjellë si shembull mediat amerikane dhe interesin që kanë njerëzit për këtë kategori lajmi.
Pas fjalës së Z. Beckmann takimi vijoi në formë diskutimi mes studentëve dhe të pranishmëve. Studentët dhe gazetarët e rinj shfaqën interes për rolin që kanë mediat e reja në zhvillimin e demokracisë, si ndikimin e “fake news”, presionin me të cilin përballen gazetarët sot në Shqipëri, si dhe ndikimin që kanë mediat sociale në demokratizimin e hapësirës së informacionit.
Studentët vizitë pranë agjencisë së marketingut Source One
Studentët e vitit të parë në programin Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim Marketingu, në kuadër të lëndës Reklama dhe Promocioni zhvilluan sot një vizitë pranë agjencisë së marketingut Source One.
Studentët të pritur nga Jori Vila, Account Director, patën mundësinë të kuptojnë dhe të shohin nga afër punën e një agjensie, strukturën, pozicionet e punës, detyrat e përgjegjësitë për çdo pozicion, funksionimin e zyrës, marrëdhënien dhe komunikimin me klientët, si dhe mënyrat për të kuptuar dhe bashkëpunuar me ata.
Gjithashtu, nëpërmjet shembujve të projekteve të ndryshme, studentët u njohën me fazat, hapat e një projekti si dhe proçedurat apo improvizimet që realizohen gjatë tyre.
Përfaqësuesja e agjensisë iu përgjigj pyetjeve të shumta te studentëve dhe theksoi kënaqësinë e agjensisë Source One për të mirëpritur këta studentë për të realizuar internshipe, praktika mësimore si dhe për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme.
Rikthim në Bedër si profesionistë
Në kuadër të aktivitetit “Rikthim në Bedër si profesionistë”, u zhvillua një bashkëbisedim mes të diplomuarve dhe studentëve të Departamentit të Drejtësisë. Të ftuar ishin Ermal Mema, i punësuar si asistent ligjor në studion “Bendo, Legal & Financial”, Mandrit Kamolli, i punësuar si asistent projektesh në organizatën “National Democratic Institute (NDI)” dhe Armando Sina, i punësuar si avokat pranë studios ligjore “ADCA”. Gjatë bashkëbisedimit, të ftuarit shpjeguan eksperiencën e tyre si studentë në Bedër dhe angazhimin e tyre në aktivitete ekstrakurrikulare, të cilat ndikuan në aftësimin e tyre të mëtejshëm, duke i mundësuar vazhdimin e studimeve master në vendet europiane, si: Francë, Angli dhe Itali. Më pas, u ndalën në eksperiencën e tyre të punës duke u dhënë studentëve këshilla dhe duke i orientuar rreth hapave që duhet të ndjekin, në mënyrë që të arrijnë të bëhen pjesë e tregut të punës. Aktiviteti u ndoq me interes nga studentët, të cilët krijuan kontakte me të diplomuarit.