Bedër çel vitin akademik 2018-2019
Kolegji Universitar Bedër çeli sot vitin e ri akademik 2018-2019. Të pranishëm në ceremoninë e organizuar në ambientet e universitetit ishin studentë, prindër, stafi akademik dhe administrativ, përfaqësues të institucioneve të ndryshme arsimore, si dhe ambasadori i Austrisë në Tiranë, z. Johann Sattler.
Rektori i KU Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, gjatë fjalës së tij përshëndetëse shprehu gatishmërinë e universitetit për t’iu gjendur pranë studentëve në rrugëtimin e tyre. “Sot është fillimi i një faze të rëndësishme, gjatë së cilës ne bashkë me të gjithë stafin akademik dhe administrativ do të gjendemi pranë jush për t’ju ndihmuar në formimin sa më të mirë akademik dhe profesional. Bedër këtë vit vjen me departamentin e ri në fushën e shkencave kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit, si dhe krahas rëndësisë së gjuhës angleze si pjesë e programeve mësimore, një vëmendje të veçantë do të ketë edhe përfshirja e gjuhës gjermane me anë të kurseve ekstra-kurrikulare si fillim, e më pas integrimin e saj edhe në kurrikulat e programeve mësimore”, theksoi Prof. Gjana.
I ftuar në këtë ceremoni, Ambasadori i Austrisë, Johann Sattler, i uroi studentët për një vit të suksesshëm akademik. “Kolegji Universitar Bedër po nis një rrugetim të ri, i cili me siguri do të jetë mbushur me sfida dhe me shumë momente kënaqësie. E them këtë sepse nga bashkëpunimi ynë në kuadër të vitit Kulturor Austri – Shqipëri 2018 ne kemi përjetuar një bashkëpunim të frytshëm dhe të suksesshëm me këtë institucion. Bashkëbunimi i frytshëm ka në themel komunikimin. Duke ditur se këtu komunikohet në të gjitha nivelet dhe në të dyja drejtimet, jam i bindur se profesorët dhe studentët, drejtuesit dhe administrata, do të përjetojnë momente kënaqësie dhe suksesi gjatë këtij viti të ri akademik”, deklaroi z. Saatler.
Përfaqësuesja e Këshillit Studentor, Desara Tollia, falenderoi universitetin për mundësitë e krijuara përgjatë këtyre viteve studimi. “Përgjate rrugëtimit tim sigurisht dhe unë kam hasur vështirësi, por me ndihmën e pedagogëve që më kanë orientuar drejtë dhe ma kanë bërë çdo situatë më të lehtë, çdo vështirësi e hasur është kaluar me sukses”.
Xhonledi Spahiu, në emër të studentëve të rinj, si dhe një nga përfitueset e bursave të ekselencës që Kolegji Universitar Bedër ka akorduar këtë vit, tregoi arsyet e përzgjedhjes së së këtij universiteti për të vazhduar rrugëtimin e saj universitar.
“Të merrja bursë nga ky institucion ishte nder dhe kënaqësi e veçantë për mua, për shkak të reputacionit të tij në lëmin e mësimdhënies. Ndershmëria, virtuoziteti dhe karizma janë disa nga vyrtytet të cilat përcjell Universiteti Bedër, për të cilën do të bëj të pamundurën për t’i përçuar më tej gjatë punës dhe jetës sime”.
Në vijim studentët e rinj u njohën me përbërjen e departamenteve përkatëse, si dhe me informacione bazë rreth universitetit.
Viti kulturor Austri-Shqipëri 2018
Në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri 2018, si dhe të vizitës së ministres së Jashtme austriake, Karin Kneissl, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë, organizuan sot një pritje, ku u prezantua dhe libri me titull: Të rizbulojmë të përbashkëtat: “E shkuara dhe e tashmja e marrëdhënieve Austri –Shqipëri në kaleidskop”.
I pranishëm në takim, Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof Dr. Ferdinand Gjana, falënderoi znj. Kneissl, për mundësitë që Austria i ka ofruar studentëve tanë në organizmin e shkollës verore në Vjenë, si dhe të vizitave në institucionet më të rëndësishme. Gjatë shkollës verore studentët e Kolegjit Universitar Bedër ndoqën leksione dhe seminare prej profesorëve më të shquar të Universitetit të Vjenës.
Kolegji Universitar Bedër diplomon brezin e pestë të studentëve
Kolegji Universitar Bedër diplomoi brezin e pestë të studentëve, në një ceremoni të organizuar mbrëmë në ambientet e Amfiteatrit të Liqenit të Tiranës. Tashmë kur janë mbushur shtatë vite që nga themelimi, Bedër nxjerr në tregun e punës rreth 195 specialistë të rinj në fushën e Drejtësisë, Komunikimit, Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Edukimit, Shkencave Islame, Gjuhës dhe Letërsisë Turke etj.
Nën moderimin e Ilda Xhafës, ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të rektorit të Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinad Gjana, i cili inkurajoni studentët që të përpiqen në rrugën e dijes. “Nëse do të besoni fort në vlerat tuaja, në vlerat tona, ju do t’ia dilni dhe do të keni sukses. Do të shkëlqeni me dritën tuaj të brendshme, duke u bërë burim frymëzimi dhe shprese për këdo rreth jush”, theksoi Prof. Gjana.
Ndërkohë i ftuari i mbrëmjes, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Z. Skënder Bruçaj, gjatë fjalës së tij përshëndetëse shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Kolegjit Universitar Bedër. Ai përgëzoi studentët për mbylljen me sukses të studimeve dhe i motivoi ata për të vazhduar më tej në rrugën e dijes.
Ceremonia vazhdoi më tej me shpërndarjen e certifikatave për studentët ekselentë. Dudi Ilias u vlerësua si studentja me rezultatet më të larta në programin e drejtësisë; Hysni Kafazi si studenti më i mirë në gjuhë dhe letërsi angleze; Ornela Klosi në shkenca komunikimi; Abdullah Bulku në shkenca islame; Besjana Osmanollaj në arsim parashkollor dhe fillor; Xhuljana Budani në psikologji këshillimi dhe pedagogji; Oltiona Nexhi në gjuhë dhe letërsi turke.
Studentët me rezultatet më të larta, Dudi Ilias dhe Hysni Kafazi mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse në emër të të gjithë studentëve.
Gjatë fjalës së saj, Dudi Ilias falënderoi universitetin për vlerat që i ka përçuar duke e ndihmuar në çdo hap drejt suksesit. “Ajo që bën diferencën është se ky institucion akademik është themeluar në emër të vlerave, dhe po në emër të tyre funksionin dhe janë pikërisht këto vlera ato që shërbejnë si garanci për të pasur sfida të drejta”, shtoi ndër të tjera studentja e drejtësisë, Dudi Ilias.
Ndërsa studenti me arritjet më të larta në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Hysni Kafazi, gjatë fjalës së tij falënderoi Kolegjin Universitar Bedër, duke theksuar se përgjatë këtyre viteve nuk ka përqafuar modelin tipik të mësimdhënies, duke u dhënë hapësirën studentëve të shpalosin dijet tyre. “Kjo shkollë na ka ofruar rrugë të shumta për t’u shprehur dhe për t’u përmirësuar akademikisht, që nga aktivizimi ynë gjatë leksioneve nëpërmjet prezantimeve dhe projekteve të ndryshme, deri në organizimin e konferencave ndërkombëtare të secilit departament, të cilat kanë shërbyer si një platformë aktive e pjesëmarrjes dhe përgatitjes së studentëve në fushën profesionale”, shtoi ndër të tjera.
Në fund, të gjithë studentët e diplomuar në programet bachelor dhe master u ngjitën në skenë për të hedhur kapelet e diplomimit.