Leksion i hapur -Trajtimi i traumave tek fëmijët dhe adoleshentët
Departamenti i Edukimit pranë KU Bedër organizoi një leksion të hapur me Dr. Skerdi Zahaj, lidhur me temën: “Trajtimi i traumave tek fëmijët dhe adoleshentët”.
Në fokus të diskutimit me studentët e psikologjisë së këshillimit ishin teknikat dhe ndërhyrjet psikoterapeutike tek këto grup-mosha.
Dr. Skerdi Zahaj aktualisht është anëtar i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut në Shqipëri, si dhe pedagog pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.
Duke kombinuar aspektin e njohurive teorike dhe fenomenologjike të temës së përjetimit të traumave, Dr. Zahaj prezantoi studentët me teknikat dhe ndërhyrjet psikoterapeutike që ndihmojnë fëmijët dhe adoleshentët që përjetojnë procesin e humbjes dhe zisë.
Gjatë prezantimit të tij, Dr. Zahaj paraqiti fazat e procesit të zisë dhe mënyrën sesi psikoterapia mund të ndihmojë për të menaxhuar dhe kapërcyer simptomat psikologjike dhe vuajtjen e shkaktuar nga trauma e humbjes së personave të afërm. Teknikat dhe ndërhyrjet specifike që u trajtuan gjatë këtij leksioni të hapur lidhen ngushtë me evidencat aktuale të efikasitetit që ka modeli i trajtimit konjitiv dhe bihevioral (i sjelljes), si edhe me përqasjen psikodinamike, e cila përdoret për të adresuar vuajtjet traumatike.
Gjithashtu, studentët praktikuan nëpërmjet ushtrimeve konkrete sesi mund të përdorin disa teknika specifike gjatë terapisë me klientët, duke përfshirë: përdorimin e shkrimit të letrave, ndërtimin e historive, poemat akronime, ritualizimet dhe vizatimet.
“Fuqizojmë të Rinjtë, Parandalojmë Dhunën!’’
Departamenti i Edukimit në KU Bedër, në bashkëpunim me Rrjetin e Grave “Barazi në Vendimmarrje”, organizuan sot trajnimin me temën: “Fuqizojmë të Rinjtë, Parandalojmë Dhunën!’’.
Znj. Edlira Çepani, drejtuese e organizatës Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” së bashku me ekipin e saj, dhe nën kujdesin e veçantë të pedagoges Erilda Ajazi, realizuan këtë Workshop me pjesëmarrjen e studentëve të Kolegjit Universitar Bedër. Studentët e edukimit, të gjuhës dhe letërsisë angleze, si dhe të shkencave të komunikimit, morën pjesë aktive në Workshop, duke u angazhuar në aktivitetet dhe lojërat interaktive në lidhje me temën.
Workshopi “Fuqizojmë të Rinjtë, Parandalojmë Dhunën!’’ synonte informimin e të rinjve dhe promovimin e marrëdhënieve të shëndetshme mes tyre dhe më gjerë në shoqëri. Ky workshop i krijoi mundësinë studentëve të diskutojnë për rolin e tyre në përkufizimin e marrëdhënieve të shëndetshme tek adoleshentët, stereotipet dhe rolet gjinore, faktorët që ndikojnë në krijimin e marrëdhënieve abuzive, si dhe në sistemin e referimit të rasteve të dhunës në familje dhe me bazë gjinore.
Nëpërmjet këtij trajnimi, studentët eksploruan çështje lidhur me:
• Rolet dhe stereotipet gjinore.
• Marrëdhëniet romantike dhe dhuna në marrëdhëniet e hershme romantike tek të rinjtë.
• Dukuria e bullizmit: përcaktimi i viktimës, agresorit dhe dëshmitarit.
• Bullizmi kibernetik: media sociale si një formë e re e abuzimit tek të rinjtë.
• Angazhimi i influencuesve: bashkëmoshatarët, prindërit, mësuesit dhe shërbimi psiko-social.
• Raportimi dhe dhënia e ndihmës për rastet e dhunës me bazë gjinore.
Zhvillohet Workshop-i me temë: "Fake News, problem i medias apo i demokracisë?"
Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar "Bedër" organizoi workshopin me temë: "Fake News, problem i medias apo i demokracisë?"
Në këtë workshop morën pjesë Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Bernd Borchardt, Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Prof.Assoc. Dr. Mark Marku, Analisti dhe gazetari i njohur Lutfi Dervishi, Kryetari i Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa, studiues së medias, përfaqësues së zyrave të PR-it dhe studentë të komunikimit dhe gazetarisë.
Aktivitetin e hapi përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Erlis Çela, i cili u shpreh se tradita e organizimit të workshop-it është e përvitshme dhe synon të trajtojë tema koherente me rëndësi për fushën e medias dhe komunikimit. Në lidhje me zgjedhjen e temës për këtë vit, Dr. Çela tha se “fake news”, një term që mori famë pas zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, nuk është vetëm një dukuri që përmendet në rrethet e gazetarëve por tashmë është një fenomen që ka tërhequr edhe vëmendjen e studiuesve të medias dhe audiencës.
Më pas fjalën e mori Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili u shpreh se mundësitë e aksesimit po përdoren gjithnjë e më shumë nga qytetarët për të publikuar informacione në internet, ku shpërndarja në këto rrjete mund të ketë nuanca të ndryshme, duke nisur nga qasjet pozitive, si mbështetjet sociale për ndihmë deri në prodhimin e përmbajtjeve keqinformuese dhe komenteve paragjykuese. Prandaj, sipas tij, organizime të këtij formati janë të rëndësishme, pasi diskutojnë rreth mënyrave të zhvillimit të shëndetshëm të fjalës së lirë, duke u nisur edhe nga roli kritik që profesionistët e fushës së medias kanë.
Ambasadori i prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Bernd Borchardt deklaroi se fenomeni i lajmit të rremë ka ekzistuar që në kohët e hershme, por tashmë me zhvillimin teknologjik, ndikimet e tij janë më të dukshme. Ai u shpreh se personat që preken drejtpërdrejtë nga ky fenomen, i vuajnë më shumë pasojat, ku përmendi edhe një rast personal se si emri i tij ishte bërë pjesë e dukurisë së lajmit të rremë. Si zgjidhje Z. Borchard sugjeroi verifikimin e fakteve përpara publikimit të lajmeve, fuqizimin e komunitetit të profesionistëve të medias, edukimin mediatik dhe më shumë liri për median.
Ndërkohë Lutfi Dervishi, u ndal në rrezikun që paraqet “fake news”. Ai u shpreh se vëmendje duhet të përqëndrohet te “fake news” si një sistem përfitimi ekonomik. Dervishi solli në vëmendje rastin e disa të rinjve nga Maqedonia, të cilët prodhuan lajme të rreme kundër Hillary Clinton në zgjedhjet e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nxjerrë përfitime financiare. Sipas Z. Dervishi, zgjidhja duhet të kërkohet te kthimi në parimet tradicionale të gazetarisë, duke i kushtuar vëmendje verifikimit të fakteve nga ana e gazetarëve.
Më pas fjalën e morën përfaqësues e studiues të medias, si Mark Marku, Shef i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, i cili u ndal në nevojë e rishikimit të parimeve të gazetarisë. Profesor Marku tha se nuk duhet të gjykojmë një dukuri problematike si “fake news” duke u nisur nga normat e gazetarisë të disa dekadave më parë. Fatos Hakorja, Roland Zili, Roland Qafoku, Pandi Gjata, Llazar Semini, të cilët ku shprehën se “fake news” përbën një rrezik, jo vetëm për median, por edhe për thelbin e demokracisë. Drejtuesit e mediave dhe gazetarët e pranishëm, ofruan si zgjidhje edukimin mediatik të audiencave, kontrollin e burimeve të lajmit përpara publikimit, si dhe një rikthim te vlerat deontologjike dhe profesionale të gazetarisë.
Përfaqësueset e zyrave të marrëdhënieve me publikun nga agjenci dhe institucione të ndryshme, si Eva Kushova dhe Elda Gjoka, u shprehën se në këtë fenomen individi është më i pambrojturi, pasi media mund të ketë në dorë vetërregullimin dhe të administrojë më mirë fjalën e lirë.
Përgjatë workshop-it u ngritën diskutime të rëndësishme, të cilat sollën perspektiva plotësuese në lidhje me fenomenin në lajmit të rremë.
Përfaqësuesit e Bedër vizitë në Bujanoc
Studentët e programit master në Shkenca Komunikimi pranë Kolegjit Universitar Bedër, pedagogë të departamentit, si dhe rektori Prof. Dr. Ferdinand Gjana, ishin të ftuar nderi në Komunën e Bujanocit. Ata u priten nga drejtuesit më të rëndësishëm të pushtetit lokal në këtë trevë ku jetojnë shqiptarët në Republikën e Serbisë.
Kryetari i Komunës, Shaip Kamberi falenderoi studentet të cilët u angazhuan në mbledhjen e mijëra librave artistikë e kulturorë në gjuhën shqipe, duke pasuruar në këtë mënyrë Bibliotekën e Bujanocit. Z. Kamberi tha se ky është një mesazh i fortë për vëllazëri dhe solidaritet mes shqiptarësh.
Ndërkohë, rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana falenderoi drejtuesit e Komunës së Bujanocit për pritjen e ngrohtë. Prof. Gjana i dorëzoi zyrtarisht Z.Kamberi shkresën për 15 bursa të plota që KU Bedër i ofron maturantëve të kësaj komune që do të regjistrohen për vitin e ardhshëm akademik. Ai premtoi se bashkëpunimi me Komunën e Bujanocit do të shtrihet edhe në fusha të tjera, në organizimin e takimeve të përbashkëta edhe në nivel intelektualësh.
Më pas, pedagogë të KU Bedër shpalosën para maturantëve të Bujanocit të gjitha mundësite që ofron institucioni ynë. Ndërsa të rinjtë që aspirojnë të ndjekin studimet e larta në Shqipëri morën përgjigje mbi të gjitha kapacitetet akademike dhe infrastrukturore që ofron Kolegji Universitar Bedër.
Vizita e zhvilluar në Bujanoc ishte e vlefshme për të gjithë studentët që i shërbyen nismës për të mbledhur libra joshkollorë për shqiptarët në Serbi, pasi u njohën më nga afër me bukuritë e trojeve shqiptare dhe mikëpirtjen e shkëlqyer të shqiptarëve në ato zona, me besimin e shprehur se aktivitete të tilla do të jenë edhe më të shpeshta.
Konferenca e 5-të Ndërkombëtare në Gjuhë dhe Letërsi Angleze
Kolegji Universitar Bedër në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Burch University dhe British Council, organizuan Konferencën e Pestë Ndërkombëtare në Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Në këtë konferencë pati pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Greqia, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Hollanda, Turqia dhe Amerika.
Gjatë seancave paralele të zhvilluara, pati një larmishmëri në prezantimet e punëve kërkimore të akademikëve pjesëmarrës, duke prekur tema dhe çështje të ndryshme, si dhe duke përcjellë ide dhe sugjerime të reja për dëgjuesit.
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze tashmë e ka kthyer në traditë përfshirjen e studentëve duke iu dhënë mundësinë të prezantojnë punët e tyre kërkimore në të tilla konferenca, ku pati një numër të madh pjesëmarrjeje studentore. Prezantimet e tyre patën një impakt mjaft pozitiv si tek studentët e tjerë, ashtu edhe tek akademikët, të cilët kanë tashmë përvojë në këtë fushë.
Zhvillohet Bedër Awards 2018
Kolegji Universitar Bedër organizoi për të dytin vit radhazi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për të diplomuarit. Në këtë event morën pjesë të diplomuar, stafi akademik dhe administrativ që ka dhënë kontributin ndër vite për universitetin, si dhe figura te shquara nga fusha e letërsisë, kulturës, artit dhe edukimit.
Ceremoninë e hapi përfaqësuesja e Zyrës së të Diplomuarve, Jola Marku, e cila theksoi se kjo zyrë nën shembullin e universiteteve perëndimore, synon të ndikojë në formësimin e një kulture, për sa i përket aktiviteteve dhe marrëdhënieve universitet- të diplomuar. Ajo u shpreh se ndër treguesit më të mire të suksesit të universitetit janë të diplomuarit e punësuar dhe arritjet e tyre, prandaj organizimi i eventit të ndarjes së çmimeve është vlerësues dhe motivues, por në të njëjtën kohë një shfaqje e suksesit të dyanshëm midis Kolegjit Universitar Bedër dhe të diplomuarve.
Më pas fjalën e mori Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili u shpreh se ky aktivitet është tashmë pjesë e traditës së “Bedër”, duke shërbyer si platformë për të diplomuarit për të shkëmbyer përvojat e tyre. Ai vlerësoi aktivitetin, duke theksuar se një format i tillë në Shqipëri është një model në kuadër të marrëdhënieve të universitetit me të diplomuarit ndër vite.
Gjatë ceremonisë u ndanë në total 12 cmime, nga ku 6 çmime u akorduan në shenjë mirënjohjeje dhe inkurajimi për ish-studentët Mandrit Kamolli, Kadim Rufati, Uejda Kadrija, Sonila Qazimi, Albi Cela dhe Arjola Buzin, që janë kthyer në modele frymëzuese, falë punës dhe arritjeve të tyre në karrierat profesionale. Ndërkohë, 6 çmime të tjera të veçanta u përzgjodhën nga stafi akademik i universitetit për t’iu akorduar personaliteteve nga fusha e artit, shkencës, kulturës, letersisë e edukimit për kontributin e tyre, ndër ta: Mirela Arqimandriti, Daniel Klingenberg, Mirush Kabashi, Uran Butka, Xhemal Balla dhe Shpëtim Tasha.