Finalizohet me sukses konkursi i parë i Start-Up-it “ENTREPRETHON”
Klubi i “Sipërmarrjes dhe Inovacionit” në Kolegjin Universitar Beder me mbështetjen e Departamentit të Ekonomisë dhe Biznesit, finalizuan me sukses konkursin e parë të Start-Up-it “ENTREPRETHON”.
Në këtë konkurs morën pjesë maturantët e shkollave të mesme në të gjithë Shqipërinë, ndërsa studentët e programit të studimit “Informatikë Ekonomike” shërbyen si mentorë në këtë konkurs.
Maturantët pjesmarrës prezantuan idetë e tyre inovatore biznesi përballë jurisë të përbërë nga: Z. Shkëlzen Marku (kryetari i jurisë), themelues dhe CEO i Enterimpact, Bashkëthemelues dhe Drejtor i YSB Balkans; Znj. Faola Hodaj, Drejtoreshë e Drejtorisë së Innovacionit në Bashkinë e Tiranës; Znj. Elda Dollija, përgjegjëse e Departamentit të Ekonomisë dhe Biznesit në Kolegjin Universitar Beder.
Nga 13 projekte shumë cilësore të mirëstudiuara dhe strukturuara, juria përzgjodhi 3 idetë më të mira duke i kurorëzuar me 3 çmime:
🏆 Vendi i parë fitoi Bursë studimi 100% në Kolegjin Universitar Beder + Tablet. Këtë çmim e fitoi maturantja nga Librazhdi, Esmeralda Qytyku, e cila u prezantua me një iniciativë të konkretizuar në qytetin e saj për organizimin e dekoreve për raste ditëlindjesh apo evenimente të tjera duke i mundësuar të gjeneronte të ardhura që në këtë moshë.
🥈 Vendi i dytë fitoi Bursë studimi 80% në Kolegjin Universitar Beder + Smart watch. Këtë çmim e fituan maturantët nga Elbasani, Andi dhe Ardit Zylali, të cilët prezantuan në detaje strukturimin e një rrjeti stacionesh karburanti me vetëshërbim, si një model biznesi që redukton kostot e fuqisë punëtore dhe rrit cilësinë e shërbimit.
🥉 Vendi i tretë fitoi Bursë studimi 60% në Kolegjin Universitar Beder + kufje me bluetooth. Këtë çmim e fituan maturantët e Shkollës së Mesme Teknike Ekonomike në Tiranë, Eno Meko dhe Enso Bejkolli, të cilët prezantuan projektin dhe planbiznesin e tyre “Student World”, një kompleks i cili kishte për qëllim akomodimin e studentëve në ambjente me çmime konkuruese duke përfshirë edhe shumë facilitete në ndihmë të tyre.
“Pronësia Intelektuale dhe Industriale”, leksion i hapur me znj. Galinija Gjoni
Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar Bedër, në kuadrin e lëndës Menaxhimi i Markave drejtuar nga pedagogia @Edlira Mali, për të realizuar leksionin “Pronësia Intelektuale dhe Industriale” kishte të ftuar përfaqësuesen e Drejtorisë së Markave dhe Patentave znj. Galinija Xharja Gjoni. Fokusi kryesor gjatë leksionit iu dha rëndësisë që ka kuadri regullator i mbrojtjes së pronësisë intelektuale dhe industriale, regjistrimit të patentave, markave, shpikjeve, mbrojtja e të drejtave te autorit duke specifikuar mbrojtjen juridike për të drejtat e krijuesve, shpikësve dhe sipërmarrësve si një element i rëndësishëm për të ndihmuar konkurrencën e ndershme në treg. Znj. Gjoni theksoi faktin se me regjistrimin e një objekti të industrisë intelektuale dhe industriale fitohet e drejta ekskluzive e përdorimit dhe mbrojtja nga kopjimet dhe keqtrajtimet e mundshme. Idetë dhe mendimet kanë nevojë të mbrohen dhe autori i tyre siguron përfitime ekonomike dhe morale, të cilat i takojnë. Që të quhet shpikje duhet të jetë risi dhe duhet të gjejë zbatueshmëri në industri apo bujqësi. Gjithashtu u fol për markat dhe mbrojtjen e tyre duke i dhënë prioritet origjinalitetit dhe risive. Në këtë kuadër studentët diskutuan dhe u njohën me rastet e refuzimeve të regjistrimit të markave, shembuj të produkteve shqipëtare dhe të huaja të regjistruara, afati kohor që iu jepet markave dhe patentave për tu mbrojtur në hapësirën profesionale, përfitimet sfidat dhe vështirësitë që hasen në këtë fushë. Ky leksion ishte një bashkëbisedim ku nuk munguan pyetjet si dhe kurioziteti që studentët shfaqën kundrejt kësaj teme me të cilën “do të përballen” në të jetën e tyre profesionale.
Zhvillohet Konferencën e VIII-të Studentore “Mundësitë dhe sfidat e komunikimit në epokën e digjitalizimit”
Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër zhvilloi sot Konferencën e VIII-të Studentore në Shkenca Komunikimi me temë “Mundësitë dhe sfidat e komunikimit në epokën e digjitalizimit”.
Hapja u bë nga kryetari i Konferencës, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Erlis Çela, i cili nxiti përfshirjen e vazhdueshme të studentëve në kërkimin shkencor. Konferencën e përshëndeti edhe dekani i fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, i cili përgëzoi studentët për punimet e tyre.
Pjesë e ceremonisë hapëse ishte gazetari dhe eksperti i komunikimit, z. Lutfi Dervishi, i cili analizoi aspektet pozitive dhe negative të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në fushën e komunikimit.
Pjesë e panelit ishte edhe drejtori i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, z. Roden Hoxha, i cili u ndal gjerësisht te rëndësia e përfshirjes së studentëve në krijimin e përmbajtjeve cilësore.
Gjithashtu, i ftuar në ceremoninë e hapjes ishte drejtori i Citizens Channel, Lorin Kadiu. Ai u shpjegoi studentëve sesi mund të ndërthurin njohuritë teorike me qasjet praktike në tregun mediatik duke e ilustruar me shembullin e themelit të Citizens Channel.
Studentët e nivelit bachelor dhe master prezantuan punimet e tyre me fokus median, komunikimin, marrëdhëniet me publikun dhe marketingun në epokën e digjitalizimit. Gjatë prezantimeve ata sollën raste studimi kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat nxitën diskutime në panel.
Në fund të sesioneve studentët u pajisën me certifikata, ku juria vlerësoi me çmim tre punimet më të mira, të cilat edhe u shpërblyen me një shumë simbolike.
Kolegji Universitar Bedër ka në fokus të vazhdueshëm angazhimin e studentëve në kërkimin shkencor ku këtë e dëshmon më së miri organizimi i ditës së sotme.
Ju urojmë studentëve suksese të mëtjeshme në karrierën e tyre profesionale!
Zhvillohet Konkursi “Urtësitë e Traditës Profetike”
Në ambientet e Kolegjith Universitar Bedër u zhvillua konkursi final në kuadër të projektit “Urtësitë e Traditës Profetike”
Mbi 150 nxënës nga tre kategori të ndryshme, shkollat 9-vjeccare, shkollat e mesme dhe universitetet morën pjesë në konkurs me tematika të ndryshme mbi traditën e Profetit Muhamed a.s.
Pjesëmarrësit i prezantuan tematikat për publikun dhe më pas një juri e përbërë nga pedagogë të Kolegjit Universitar Bedër vlerësoi punimet e tyre duke shpallur fituesit për secilën kategori.
Pas prezantimit të projekteve në kuadër të projektit “Urtësitë e Traditës Profetike” nën moderimin e aktorit të mirënjohur z. Dritan Boriçi dhe studentes Rudina Sinani u zhvillua një program i larmishëm artistik me lexim Kurani, ilahi, poezi dhe interpretime artistike.
Në këtë ceremoni morën pjesë Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Gjergj Sinani, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, Presidenti i Fondacionit Hafiz Ali Korça, Dr. Skender Bruçaj, Kryetari i Bordit të Administrimit në Bedër, Dr. Ali Zaimi, pedagogë, pjesëmarrës në konkurs, stundentë dhe shumë të ftuar.
Gjatë kësaj ceremonie përshëndetën Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Gjergj Sinani, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame, z. Xhemal Saferty dhe zv/Dekanja e Studentëve, znj. Erjola Osmani.
Gjatë përshëndetjeve ata theksuan rëndësinë e njohjes së traditave të Profetit Muhamed a.s, si dhe vlerësuan e përgëzuan pjesëmarrësit për punimet e tyre mjaft të dobishme.
Në fund të ceremonisë juria shpalli rezultatet për fituesit e secilës kategori.