Informacion i Përgjithshëm

KOLEGJI UNIVERSITAR BEDËR

Kolegji Universitar Bedër, u çel në prill të vitit 2011 me kërkesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe vendim të Këshillit të Ministrave nr.286, datë 6.4.2011, me anë të të cilit u miratua dhënia e licencës për ushtrimin e aktivitetit si institucion i arsimit të lartë. Kolegji Universitar Bedër administrohet nga Fondacioni “Hafiz Ali Korça”, fondacion i cili është themeluar po nga KMSH-ja me qëllim të posaçëm administrimin e këtij institucioni të arsimit të lartë.  

Bedër ofron programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi. Kolegji Universitar Bedër ka 2 fakultete dhe 6 departamente, të cilat ofrojnë 9 programe studimi të nivelit bachelor, të integruar të ciklit të dytë, si dhe profesionale; gjithashtu dhe 9 programe studimi të nivelit të dytë, master shkencor dhe master profesional.

Bedër është institucion jofitimprurës, i cili synon të përgatisë brezat e rinj në arsimin e lartë jopublik në Shqipëri. Ky institucion është themeluar në statusin jofitimprurës dhe mbështet studentët e suksesshëm, të cilët duan të vazhdojnë studimet e larta pranë Bedër. Një grup shumë i rëndësishëm i studentëve janë përfitues nga fondi i bursave, të cilat janë katër lloje: ekselence, sociale, motivimi dhe talenti.  

Fokusimi i energjive, në aspektin e cilësisë akademike dhe institucionale, ka bërë që institucioni ynë të përcaktojë një strategji zgjerimi që nuk synon masivitetin. Kapaciteti maksimal i parashikuar  i shkollës është 2000 studentë në të gjitha programet e të dyja niveleve, bachelor dhe master.

Synim i këtij institucioni është profilizimi ndërkombëtar. Ky është një hap i rëndësishëm rajonal në arsimin universitar dhe kërkimin shkencor. Ndërkombëtarizimi i këtij institucioni rezulton në disa këndvështrime. Kolegji Universitar Bedër ka si synim konsolidimin e një profili ndërkombëtar dhe organet drejtuese mendojnë se kontributi në këtë drejtim është një hap i rëndësishëm në shndërrimin e Tiranës, në  një qendër rajonale të arsimit universitar dhe kërkimit shkencor. Në këto vite të aktivitetit është bërë e mundur afrimi i studentëve nga të gjitha trevat shqipfolëse në rajon dhe në diasporë, ashtu si dhe nga vende të tjera. Profili ndërkombëtar është pasqyruar gjithashtu edhe në përbërjen e stafit akademik, si dhe në bashkëpunimet e vendosura nëpërmjet marrëveshjeve me universitete dhe kompani në disa vende të botës.