Përshëndetja e rektorit

 

Të dashur studentë, kolegë dhe dashamirës

Përzgjedhja e një universiteti për karrierë profesionale apo akademike është vendim i rëndësishëm në jetën e njeriut. Maturantët e kualifikuar përzgjedhin programin e studimit ku dëshirojnë të studiojnë, në një institucion që mbart vlera cilësore arsimore.

Kolegji Universitar "Bedër" synon të jetë zgjedhja e të rinjve më të përgatitur që kanë ambicie dhe vullnet  për të marrë nje edukim cilësor në një ambient bashkëkohor.

Viti i pestë i kësaj shkolle paraqet një bilanc mjaft mbresëlënës. Synimi ynë është krijimi i një institucioni elitar në arsimin e lartë dhe dhënia e kontributit tonë në promovimin e vlerave shoqërore. Stafi dhe studentët gjatë këtij viti kanë arritur të përcjellin imazhin e një institucioni dinamik.

Kolegji Universitar "Bedër" krijon vlera në personalitetin e të rinjve shqiptarë dhe të huaj, të cilat mundësojnë krijimin e një shoqërie me principe të larta.

Synimi ynë është i një këndvështrimi të gjerë. Ne punojmë për një arsimim cilësor të të rinjve dhe diplomimin e tyre, pa lënë mënjanë kontributin që ky institucion jep në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Ne përpiqemi të përforcojmë cilësinë dhe traditat e lashta, duke i ndarë këto me vendet e rajonit, Europës e më gjerë.

Unë thellësisht shpresoj, se ky staf akademik dhe administrativ, i përzgjedhur, do të progresojë ritmin duke forcuar dhe konsoliduar më tepër kapacitetet e kësaj shkolle.

Duke u mbështetur në programet që ofrojmë, bilancin e vitit të katërt akademik dhe vizionin tonë për të ardhmen, ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë dhe të huaj (nga rajoni, Europa e më gjerë), që të vazhdojnë studimet në një ambient të sigurt e bashkëkohor, ku gjithçka është organizuar në interes të formimit të plotë të studentëve.