Kriteret e reja mbi mënyrën e aplikimit në universitete
Bazuar në ligjin e ri për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, referuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, procesi i aplikimit në universitetet publike e private për vitin akademik 2016 – 2017 kalon nëpër tre raunde të cilët vijojnë si më poshtë.
Raundi 1
Të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, duke përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, do të aplikojnë në Portalin e Kandidatit për Student, nëpërmjet formularit të aplikimit, sipas një kalendari të publikuar më parë nga AKP, për të gjitha DAR/ZA-të, nga datat 01 -11 gusht 2016. Kandidatët e raundit të parë bëjnë 10 përzgjedhje preferencash, ku shënojnë edhe departamentin që duan të studiojnë në Shkollën e lartë Hëna e Plotë Bedër.
- Nga data 20 deri në 30 gusht 2016, Shkolla e Lartë Hëna e Plotë Bedër, zhvillon procesin e intervistimit me të gjithë kandidatët që janë përzgjedhur për të studiuar në një nga programet tona të studimit.
- Me datë 5 shtator 2016, Shkolla e Lartë Hëna e Plotë Bedër, shpall listat e fituesve në secilin departament për raundin e parë të aplikimit.
- Nga data 13 deri në 20 shtator kandidatët që janë shpalluar fitues paraqiten në sekretarinë mësimore për të kryer regjistrimin online si dhe për të dorëzuar dokumentacionin për regjistrimin përfundimtar.
Raundi 2
Të gjithë kandidatët, të cilët kanë plotësuar formularin A1/A1Z, por nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë për arsye të ndryshme, dhe kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk janë shpallur fitues apo nuk kanë arritur të regjistrohen, të kryejnë procesin e aplikimit online në raundin e dytë me formularin e aplikimit në Portalin e Kandidatit për Student, sipas një kalendari të publikuar më parë nga AKP, për të gjitha DAR/ZA-të, në datat 23 shtator deri në 1 tetor 2016. Kandidatët e raundit të dytë bëjnë 10 përzgjedhje preferencash, ku shënojnë edhe departamentin që duan të studiojnë në Shkollën e lartë Hëna e Plotë Bedër.
- Në datën 5 tetor 2016, Shkolla e Lartë Hëna e Plotë Bedër, zhvillon procesin e intervistimit me të gjithë kandidatët që janë përzgjedhur për të studiuar në një nga programet tona të studimit.
- Me datë 6 tetor 2016, Shkolla e Lartë Hëna e Plotë Bedër, shpall listat e fituesve në secilin departament për raundin e dytë të aplikimit.
- Nga datë 16 tetor, kandidatët që janë shpalluar fitues paraqiten në sekretarinë mësimore për të kryer regjistrimin online si dhe për të dorëzuar dokumentacionin për regjistrimin përfundimtar, firmosjen e kontratës si dhe pagesën për semestrin e parë të studimeve.
- 16 deri me 20 tetor 2016 sekretaria mësimore do të regjistrojë online dhe me dokumentacion, deri në plotësimin e numrit të kuotave për programin e studimit përkatës, të gjithë kandidatët e tjerë që kërkojnë të regjistrohen.
- Të gjithë studentët të cilët e kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve bachelor dhe që dëshirojnë të studiojnë në një nga programet e studimit master që ofron SHLP Hëna e Plotë (Bedër), mund të kontaktojnë në faqen zyrtare në facebook (Universiteti Bedër Faqja Zyrtare), emailin: [email protected] mund të paraqiten çdo ditë pranë sekretarisë mësimore në Bedër ose të kontaktojnë në numrat e telefonit:
+355 67 34 27 001
+355 69 67 84 014
Bedër, Partner në Observatorin e Autonomisë Vendore (OLA)
Shqipëria përfaqësohet për herë të parë në Observatorin e Autonimisë Vendore (Observatory of Local Autonomy).
Krijuar më 28 janar 2008, (OLA) është një rrjet i studiuesve dhe shoqërisë civile, të gjithë të specializuar në studimin e autonomisë vendore dhe administrimin e pushtetit lokal. Rrjeti bashkon 64 ekipe hulumtuese. Një ose më shumë në çdo shtet anëtar të Bashkimit Evropian, si dhe në Moldavi, Mali i Zi, Serbi, Rusi, Turqi dhe së fundi edhe në Shqipëri.
Shkolla e Lartë, Hëna e Plotë (Bedër) është i vetmi institucion që përfaqëson Shqipërinë në këtë rrjet, qëllimi i të cilit është studimi i autonomisë vendore, qeverisja multi-nivel, menaxhimi i pushtetit vendor, si dhe çështje të tjera që rrjedhin nga këto koncepte.
Bedër u përfaqësua në këtë rrjet nga z. Ferdinand Xhaferaj, Shef i Departamentit të Drejtësisë i cili prezantoi një raport kombëtar mbi qeverisjen lokale të Shqipërisë në simpoziumin e fundit që OLA zhvilloi në Universitetin “Comenius” në Bratislavë – Sllovaki. Prezantim nga i cili u vlerësua me nota maksimale nga Asamblea e Përgjithshme e Observatorit të Autonimisë Vendore.
Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” Bedër diplomon brezin e tretë të studentëve
Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” Bedër, zhvilloi ceremoninë e diplomimit të studentëve në programin Bachelor dhe Master për vitin akademik 2015 – 2016.
Përpos studentëve të shumtë të cilët hodhën në ajër kapelet e diplomimit duke mbyllur kështu një etapë mjaft të rëndësishme në jetën e tyre, në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj, Rektori i Universitetit Epoka Prof. Dr. Güngör Turan, personalitete të shumtë nga bota akademike, përfaqësues institucionesh publike e private si dhe familjarë e të afërm të të diplomuarve.
Kjo ceremoni përkon me 5 vjetorin e themelimit të Bedër, cikël ky i cili numëron një sërë arritjesh në fushën akademike dhe atë të kërkimit shkencor.
Në këtë aspekt përmendim organizimin e dhjetëra konferancave kombëtare e ndërkombëtare, leksioneve të hapura me të ftuar të shumtë nga fusha të ndryshme, organizimin e dhjetëra seminareve me tematika të larmishme bashkëkohore si dhe një numri të konsiderueshëm aktivitetesh ekstrakurrikulare me qëllim aftësimin profesional të studentëve.
Pjesë e pandashme e këtij 5 vjeçari janë edhe programet e shkëmbimit apo praktikat profesionale të cilat i kanë shoqëruar studentët përgjatë çdo viti akademik pa harruar këtu përfaqësimin e Shqipërisë në kompeticionet dhe projektet ndërkombëtare.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u shpreh entuziast për arritjet e deritanishme të institucionit duke e vënë theksin mbi diplomimin e brezave të aftë për tregun e punës në Shqipëri e më gjerë.
“Të gjithë e dimë që vendi ynë nuk është ndër vendet më të mëdha e të fuqishme në botë, e gjithashtu që të gjithë jemi të vetëdijshëm që nuk është hapësira ideale për të pasur një jetë me standarde të larta, krahasuar këto me Europën apo shtetet e zhvilluar. Por dua t’ju them, se të jeni të bindur se ky vend ka nevojë për ju, ka nevojë për të rinj të formuar profesionalisht që kanë një karakter të mbushur me virtyte. Prandaj edhe nëse do të mendoni të punoni apo të studioni diku jashtë vendi, nëpër botë, patjetër planifikoni edhe një kthim për të dhënë diçka, për të kontribuar aq sa do të mundni për Shqipërinë tonë. Sepse vetëm ashtu ajo do mund të behët më mirë.” – tha ai.
Më tej ceremonia vazhdoi me përshëndetjen e studentëve të ekselencës dhe atyre të huaj. Në fund studentët u ngjitën në podium për të hedhur në ajër kapelet e diplomimit.
Deri më tani ky institucion numëron rreth 400 studentë të diplomuar në programet bachelor nga të cilët 136 prej tyre janë të diplomuarit e këtij viti gjithashtu dhe 90 studentë në të gjitha programet master.