Kolegji Universitar Bedër shpall listat e maturantëve fitues të raundit të parë të aplikimeve për vitin akademik 2017 – 2018
Pas përfundimit të afatit të intervistave, të zhvilluara në çdo program studimi ndërmjet maturantëve aplikantë dhe përfaqësuesve të departamenteve, Bedër shpall listat e fituesve për raundin e parë të aplikimeve në Drejtësi, Shkenca Komunikimi, Shkenca Islame, Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Arsim Parashkollor dhe Fillor, Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji, Gjuhë dhe Letërsi Turke.
Njoftojmë të gjithë kandidatët fitues se data 29 gusht 2017 shënon dhe nisjen e rregjistrimit në çdo program studimi ku janë shpallur fitues, ky afat përfundon më 11 shtator, pas kësaj date nuk mund të regjistroheni më.
Dokumentacioni i nevojshëm për rregjistrim vijon si më poshtë:
a) Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë)
b) Fotokopje e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave.
c) 4 fotografi të vogla personale
d) Raport mjeko – ligjor
Kandidatët do të gjejnë emrat e tyre në listat e bashkëngjitura.
Drejtësi
Shkenca Komunikimi
Shkenca Islame
Gjuhë dhe Letërsi Angleze
Arsim Parashkollor dhe Fillor
Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji
Gjuhë dhe Letërsi Turke
Shënim: Të gjithë kandidatët që dëshirojnë të studiojnë në një nga programet tona të studimit, por që nuk kanë aplikuar në raundin e parë ose nuk kanë rezultuar fitues, mund të aplikojnë në raundin e dytë, duke përzgjedhur departamentin që duan të studiojnë pranë Kolegjit Universitar Bedër si një nga 10 preferencat në formularin e aplikimit të raundit të dytë, formular ky i cili plotësohet nga data 15 – 22 shtator 2017.
Kontakt:
Tel: +355673427001 / +35542419222
Email: [email protected]
Ju mirëpresim!
Rëndësia e edukimt të të rinjve në uljen e sjelljeve radikale dhe ekstremizmit të dhunshëm
Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Bedër, Doc.Dr. Ramadan Çipuri mori pjesë në Kongresin e Tretë Ndërkombëtar të “Scholas Chair” në Jeruzalem të Izraelit.
Ky kongres, i organizuar në "Hebrew University of Jerusalem" mblodhi sëbashku përfaqësues nga mbi 30 universitete të ndryshme nga e gjithë bota.
Një nga çështjet më të rëndësishme që iu kushtua vëmendje në referimet e pjesërmarrësve ishte rëndësia e edukimit në uljen e nivelit të sjelljeve radikale dhe ekstremizmit të dhunshëm tek të rinjtë e të gjithë botës. Risia e këtij organizmi ishte prezantimi i projekteve konkrete të ndërmarra nga universitete të ndryshme në këtë drejtim.
Dr. Çipuri në fjalën e tij prezantoi përpjekjet e Kolegjit Universitar Bedër në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Sipas tij, Shqipëria është një nga vendet model përsa i përket dialogut dhe harmonisë ndërfetare. Projekti i iniciuar nga Bedër për bashkëpunimin midis tre shkollave teologjike, asaj islame, katolike dhe ortodokse dhe që u prezantua nga Dr.Çipuri tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve. Sipas tij, falë një nisme të ndërmarrë nga Departamenti i Shkencave Islame në Bedër, nga viti 2014 e në vijim janë organizuar mbi 20 takime dhe aktivitete të përbashkëta midis tre shkollave fetare, si konferenca, seminare, tryeza të rrumbullakëta, shkëmbime stafesh, takime të përbashkëta midis studentëve, etj.
Nisma e dytë që prezantoi Dr. Çipuri ishte Koalicioni i Tolerancës, i themeluar para dy vitesh nga studentët e Bedër në kuadër të projektit “P2P Chalinging Extremism”. Sipas tij, kjo aleancë e cila nisi si një nismë brenda vendit, tashmë është kthyer në rajonale me anëtarë nga Kosova, Maqedonia e më gjerë. Dr.Çipuri propozoi që kjo nismë të kthehet në një organizim të përbashkët me të gjitha universitetet pjesëmarrëse në Kongres, propozim ky që u prit me interes nga pjesëmarrësit.
Kolegji Universitar Bedër, diplomon brezin e katërt të studentëve
Kolegji Universitar Bedër, diplomoi brezin e katërt të studentëve në një ceremoni të organizuar me këtë rast në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.
Përpos studentëve të shumtë të cilët hodhën në ajër kapelet e diplomimit duke mbyllur kështu një etapë mjaft të rëndësishme në jetën e tyre, në këtë ceremoni ishin të pranishëm Rektori i Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj, Rektori i Universitetit Epoka Prof. Dr. Güngör Turan, personalitete të shumtë nga bota akademike, përfaqësues institucionesh publike e private si dhe familjarë e të afërm të të diplomuarve.
Tashmë në vitin e gjashtë akademik Bedër nxjerr në tregun e punës rreth 220 specialistë të rinj në fushën e Edukimit, Drejtësisë, Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Komunikimit, Shkencave Islame, Gjuhës dhe Letërsisë Turke etj.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse rektori i institucionit Z. Gjana uroi studentët e diplomuar dhe u shpreh entuziast për suksesin e arritur në këto tre vite. Më tej theksoi se dyert e institucionit që ai drejton do të jenë gjithmonë të hapura për mbështetjen e mëtejshme ndaj studentëve.
“Jini të sigurtë, ashtu si dhe prindërit tuaj se ne do të jemi pranë jush dhe me ju në çdo moment që do të keni nevojë”- tha ai.
Ndërsa z. Bruçaj u ndal në imazhin dhe cilësinë që ka ndërtuar Kolegji Universitar Bedër deri më tani. Ai i inkurajoi studentët e diplomuar që të përpiqen të gjejnë gjithmonë më të mirën në drejtimet që do të marrin në jetë.
“Ky institucion ju dha më të mirën e tij përgjatë gjithë programit të studimit, ju pajisi me aftësitë e nevojshme për të qenë më të mirët në tregun e punës, tashmë erdhi momenti juaj për ta dëshmuar këtë gjë”- përfundoi ai.
Ceremonia vazhdoi më tej me shpërndarjen e certifikatave të ekselencës sipas programeve të studimit. Ermelinda Gjeci, u vlerësua si studentja me mesataren më të lartë në programin Bachelor në Drejtësi, Xhorxhina Seferi si studentja më e mirë në Shkenca Islame, Ola Kafazi në Arsim Parashkollor dhe Fillor, Ersida Kurtaj në Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji, Donisa Perseku në Shkenca Komunikimi, Zamira Aga në Gjuhë dhe Letërsi Angleze si dhe Enxhi Kamberi në Gjuhë dhe Letërsi Turke.
Më tej, të gjithë studentët e diplomuar në programet bachelor dhe master u ngjitën në skenë për të hedhur kapelet e diplomimit.