Zhvillohet Workshop-i me temë: "Fake News, problem i medias apo i demokracisë?"
Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar "Bedër" organizoi workshopin me temë: "Fake News, problem i medias apo i demokracisë?"
Në këtë workshop morën pjesë Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Bernd Borchardt, Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Prof.Assoc. Dr. Mark Marku, Analisti dhe gazetari i njohur Lutfi Dervishi, Kryetari i Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa, studiues së medias, përfaqësues së zyrave të PR-it dhe studentë të komunikimit dhe gazetarisë.
Aktivitetin e hapi përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Erlis Çela, i cili u shpreh se tradita e organizimit të workshop-it është e përvitshme dhe synon të trajtojë tema koherente me rëndësi për fushën e medias dhe komunikimit. Në lidhje me zgjedhjen e temës për këtë vit, Dr. Çela tha se “fake news”, një term që mori famë pas zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, nuk është vetëm një dukuri që përmendet në rrethet e gazetarëve por tashmë është një fenomen që ka tërhequr edhe vëmendjen e studiuesve të medias dhe audiencës.
Më pas fjalën e mori Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili u shpreh se mundësitë e aksesimit po përdoren gjithnjë e më shumë nga qytetarët për të publikuar informacione në internet, ku shpërndarja në këto rrjete mund të ketë nuanca të ndryshme, duke nisur nga qasjet pozitive, si mbështetjet sociale për ndihmë deri në prodhimin e përmbajtjeve keqinformuese dhe komenteve paragjykuese. Prandaj, sipas tij, organizime të këtij formati janë të rëndësishme, pasi diskutojnë rreth mënyrave të zhvillimit të shëndetshëm të fjalës së lirë, duke u nisur edhe nga roli kritik që profesionistët e fushës së medias kanë.
Ambasadori i prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Bernd Borchardt deklaroi se fenomeni i lajmit të rremë ka ekzistuar që në kohët e hershme, por tashmë me zhvillimin teknologjik, ndikimet e tij janë më të dukshme. Ai u shpreh se personat që preken drejtpërdrejtë nga ky fenomen, i vuajnë më shumë pasojat, ku përmendi edhe një rast personal se si emri i tij ishte bërë pjesë e dukurisë së lajmit të rremë. Si zgjidhje Z. Borchard sugjeroi verifikimin e fakteve përpara publikimit të lajmeve, fuqizimin e komunitetit të profesionistëve të medias, edukimin mediatik dhe më shumë liri për median.
Ndërkohë Lutfi Dervishi, u ndal në rrezikun që paraqet “fake news”. Ai u shpreh se vëmendje duhet të përqëndrohet te “fake news” si një sistem përfitimi ekonomik. Dervishi solli në vëmendje rastin e disa të rinjve nga Maqedonia, të cilët prodhuan lajme të rreme kundër Hillary Clinton në zgjedhjet e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nxjerrë përfitime financiare. Sipas Z. Dervishi, zgjidhja duhet të kërkohet te kthimi në parimet tradicionale të gazetarisë, duke i kushtuar vëmendje verifikimit të fakteve nga ana e gazetarëve.
Më pas fjalën e morën përfaqësues e studiues të medias, si Mark Marku, Shef i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, i cili u ndal në nevojë e rishikimit të parimeve të gazetarisë. Profesor Marku tha se nuk duhet të gjykojmë një dukuri problematike si “fake news” duke u nisur nga normat e gazetarisë të disa dekadave më parë. Fatos Hakorja, Roland Zili, Roland Qafoku, Pandi Gjata, Llazar Semini, të cilët ku shprehën se “fake news” përbën një rrezik, jo vetëm për median, por edhe për thelbin e demokracisë. Drejtuesit e mediave dhe gazetarët e pranishëm, ofruan si zgjidhje edukimin mediatik të audiencave, kontrollin e burimeve të lajmit përpara publikimit, si dhe një rikthim te vlerat deontologjike dhe profesionale të gazetarisë.
Përfaqësueset e zyrave të marrëdhënieve me publikun nga agjenci dhe institucione të ndryshme, si Eva Kushova dhe Elda Gjoka, u shprehën se në këtë fenomen individi është më i pambrojturi, pasi media mund të ketë në dorë vetërregullimin dhe të administrojë më mirë fjalën e lirë.
Përgjatë workshop-it u ngritën diskutime të rëndësishme, të cilat sollën perspektiva plotësuese në lidhje me fenomenin në lajmit të rremë.
Përfaqësuesit e Bedër vizitë në Bujanoc
Studentët e programit master në Shkenca Komunikimi pranë Kolegjit Universitar Bedër, pedagogë të departamentit, si dhe rektori Prof. Dr. Ferdinand Gjana, ishin të ftuar nderi në Komunën e Bujanocit. Ata u priten nga drejtuesit më të rëndësishëm të pushtetit lokal në këtë trevë ku jetojnë shqiptarët në Republikën e Serbisë.
Kryetari i Komunës, Shaip Kamberi falenderoi studentet të cilët u angazhuan në mbledhjen e mijëra librave artistikë e kulturorë në gjuhën shqipe, duke pasuruar në këtë mënyrë Bibliotekën e Bujanocit. Z. Kamberi tha se ky është një mesazh i fortë për vëllazëri dhe solidaritet mes shqiptarësh.
Ndërkohë, rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana falenderoi drejtuesit e Komunës së Bujanocit për pritjen e ngrohtë. Prof. Gjana i dorëzoi zyrtarisht Z.Kamberi shkresën për 15 bursa të plota që KU Bedër i ofron maturantëve të kësaj komune që do të regjistrohen për vitin e ardhshëm akademik. Ai premtoi se bashkëpunimi me Komunën e Bujanocit do të shtrihet edhe në fusha të tjera, në organizimin e takimeve të përbashkëta edhe në nivel intelektualësh.
Më pas, pedagogë të KU Bedër shpalosën para maturantëve të Bujanocit të gjitha mundësite që ofron institucioni ynë. Ndërsa të rinjtë që aspirojnë të ndjekin studimet e larta në Shqipëri morën përgjigje mbi të gjitha kapacitetet akademike dhe infrastrukturore që ofron Kolegji Universitar Bedër.
Vizita e zhvilluar në Bujanoc ishte e vlefshme për të gjithë studentët që i shërbyen nismës për të mbledhur libra joshkollorë për shqiptarët në Serbi, pasi u njohën më nga afër me bukuritë e trojeve shqiptare dhe mikëpirtjen e shkëlqyer të shqiptarëve në ato zona, me besimin e shprehur se aktivitete të tilla do të jenë edhe më të shpeshta.
Zhvillohet Bedër Awards 2018
Kolegji Universitar Bedër organizoi për të dytin vit radhazi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për të diplomuarit. Në këtë event morën pjesë të diplomuar, stafi akademik dhe administrativ që ka dhënë kontributin ndër vite për universitetin, si dhe figura te shquara nga fusha e letërsisë, kulturës, artit dhe edukimit.
Ceremoninë e hapi përfaqësuesja e Zyrës së të Diplomuarve, Jola Marku, e cila theksoi se kjo zyrë nën shembullin e universiteteve perëndimore, synon të ndikojë në formësimin e një kulture, për sa i përket aktiviteteve dhe marrëdhënieve universitet- të diplomuar. Ajo u shpreh se ndër treguesit më të mire të suksesit të universitetit janë të diplomuarit e punësuar dhe arritjet e tyre, prandaj organizimi i eventit të ndarjes së çmimeve është vlerësues dhe motivues, por në të njëjtën kohë një shfaqje e suksesit të dyanshëm midis Kolegjit Universitar Bedër dhe të diplomuarve.
Më pas fjalën e mori Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili u shpreh se ky aktivitet është tashmë pjesë e traditës së “Bedër”, duke shërbyer si platformë për të diplomuarit për të shkëmbyer përvojat e tyre. Ai vlerësoi aktivitetin, duke theksuar se një format i tillë në Shqipëri është një model në kuadër të marrëdhënieve të universitetit me të diplomuarit ndër vite.
Gjatë ceremonisë u ndanë në total 12 cmime, nga ku 6 çmime u akorduan në shenjë mirënjohjeje dhe inkurajimi për ish-studentët Mandrit Kamolli, Kadim Rufati, Uejda Kadrija, Sonila Qazimi, Albi Cela dhe Arjola Buzin, që janë kthyer në modele frymëzuese, falë punës dhe arritjeve të tyre në karrierat profesionale. Ndërkohë, 6 çmime të tjera të veçanta u përzgjodhën nga stafi akademik i universitetit për t’iu akorduar personaliteteve nga fusha e artit, shkencës, kulturës, letersisë e edukimit për kontributin e tyre, ndër ta: Mirela Arqimandriti, Daniel Klingenberg, Mirush Kabashi, Uran Butka, Xhemal Balla dhe Shpëtim Tasha.
I kthyer tashmë në një traditë, u çel në ambientet e Pallatit të Kongreseve edicioni i 9-të i Panairit “Work & Study”, i organizuar nga Bashkia e Tiranës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë si dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve.
Ky panair i cili do të zhvillohet përgjatë datave 28-29-30 mars 2018, është një eveniment ku shpalosen mundësitë më të mira për studim dhe kërkesat aktuale të tregut të punës, me pjesëmarrjen e mbi 60 kompanive, institucioneve të ndryshme dhe universiteteve, ndër to dhe Kolegji Universitar “Bedër”.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes së panairit ishte Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj, si dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë z. Nikolin Jaka, personalitete këto të cilët mbajtën edhe fjalën e rastit gjatë hapjes së panairit.
Për tu informuar drejtpërsëdrejti rreth programeve tona të studimit, mundësive të studimit me bursë, programeve të shkëmbimit, kritereve të reja të regjistrimit në universitet apo procesit të aplikimit dhe gjithçka tjetër ju nevojitet, ju mirëpresim çdo ditë nga ora 09:00 deri në orën 21:00. Mos hezitoni të na vizitoni ne stendën tonë. #BederPromotionStand
Mbyllet me sukses fushata “Një libër më shumë për Preshevën”
Studentët e vitit të dytë të programit të masterit shkencor në Shkenca Komunikimi, Kolegji Universitar “Bedër”, mbyllën me sukses fushatën e tyre tremujore “Një libër më shumë për Preshevën”.
Të ftuar të veçantë të këtij aktiviteti ishin drejtuesit më të lartë të pushtetit lokal në zonat ku jetojnë shqiptarët në Serbi, konkretisht kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Shukri Ymeri, nënkryetarja Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, si dhe përfaqësuesi i Komunës së Preshevës, Almir Shaqiri. Nuk munguan edhe përfaqësues të botës akademike, gazetarisë dhe shoqërisë civile.
Aktiviteti ishte ideuar në formën e një programi kulturo-artistik, ku pati performanca të ndryshme në balet, interpretim dhe këngë. Të pranishmit patën mundësi të ndiqnin dy dokumentare të përgatitur mbi zonat ku jetojnë shqiptarët në Serbi, si dhe ekspozuan mbi të gjitha punën e bërë në fushatën nga studentët, të cilët konfirmuan mbledhjen e 2 mijë librave në shqip, të cilat do të shkojnë për bibliotekat në Preshevë dhe Bujanoc.
Fushata “Një libër më shumë për Preshevën” i kaloi objektivat fillestare për mbledhjen e një mijë librave, falë kontributit të qytetarëve shqiptarë, shkollave dhe shtëpive botuese. Por mbledhja e dy mijë librave dhe dhënia e një mesazhi solidariteti dhe vëllazërie për shqiptarët në Serbi nuk ishte i vetmi lajm i mirë në këtë aktivitet, pasi rektori i Kolegjit Universitar “Beder”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana ndau me të pranishmit vendimin e institucionit që ai drejton, për dhënien e 15 bursave studimi në vitin e ardhshëm akademik për studentët që vijnë nga Lugina e Preshevës.
Zyrtarët e lartë shqiptarë në Serbi, z. Shukri Ymeri dhe z. Shaip Kamberi shprehën falënderime të sinqerta për iniciativën e studentëve të Kolegjit Universitar “Bedër” për mbledhjen e librave shqip, duke e vlerësuar këtë si një nismë. Z. Ymeri dhe Kamberi e konsideruan një lajm të shkëlqyer vendimin për dhënien e 15 bursave të studimit nga Kolegji Universitar “Bedër” për nxënësit shqiptarë në Serbi dhe premtuan bashkëpunim edhe në të ardhmen me Kolegjin Universitar “Bedër”. Kreu i Komunës së Bujanovcit ftoi studentët e fushatës “Një libër më shumë për Preshevën” dhe drejtuesit e “Bedër” të vizitojnë këtë zonë.
Në fund grupi i studentëve që realizuan këtë fushatë dhe lektorja udhëheqëse Edlira Mali falënderuan të gjithë kontribuesit dhe lanë të hapur mundësinë që çdokush të vijojë të dhurojnë libra shqip për nxënësit në Luginën e Preshevës, të cilët prej vitesh vuajnë mungesën e teksteve shqip.