Arrihet memorandumi i bashkëpunimit me Kolegjin AAB në Prishtinë
Gjatë vizitave që u zhvilluan në institucione të ndryshme arsimore në Prishtinë, delegacioni i Kolegjit Universitar Bedër me në krye Rektorin, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin AAB në Prishtinë, institucioni i parë jopublik i arsimit të lartë në Kosovë.
Ky memorandum bashkëpunimi, i firmosur nga dy drejtuesit e institucioneve përkatëse, Prof. Dr. Ferdinand Gjana dhe Prof.Dr. Lulzim Tafa, vjen si nevojë për të intensifikuar më tej marrëdhëniet bashkëpunuese ndërmjet dy institucioneve në fushën akademike, në organizimin e mëtejshëm të konferencave kombëtare e ndërkombëtare, shkëmbimin e stafit, në fushën e kërkimit shkencor etj.
Gjatë bashkëbisedimit, të dy palët shprehën gatishmërinë për ta vazhduar më tej marrëdhënien e bashkëpunimit ndërmjet Bedër dhe AAB, edhe pse deri më tani në këtë kontekst janë konkretizuar disa organizime të përbashkëta, përmendim këtu konferencën ndërkombëtare në studimet e medias dhe komunikimit, publikimet shkencore të përbashkëta ndërmjet stafeve përkatëse etj.
Takimi vazhdoi më tej me vizitën e ambienteve të ndryshme të Kolegjit AAB.
Zhvillohet konferenca shkencore "25 Vite Drita Islame"
Pedagogë të Kolegjit Universitar Bedër referojnë në punimet e konferencës shkencore “25 vite Drita Islame”, konferencë kjo e organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me rastin e 25 vjetorit të themelimit të kësaj reviste.
E zhvilluar në ambientet e “International Hotel Tirana”, konferenca mblodhi sëbashku përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare nga vendi e rajoni, akademikë, studiues, pedagogë, klerikë të shumtë etj. Veçojmë këtu pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, Kryemyftiu i Kosovës Hafiz Naim Tërnava, Myftiu i Gostivarit Hafiz Shaqir Fetahu, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Znj. Loreta Aliko etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti, z. Bujar Nishani, vlerësoi kontributin e lartë të kësaj reviste në edukimin fetar e kombëtar të brezave, që nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme.
“Ka mbi 25 vjet që dielli u shfaq rishtazi mbi mjegullën që ndenji aq gjatë mbi vendin, tokën, njerëzit, shtëpitë, shpirtrat dhe besimet tona. Si toka në dritën e diellit ndriçoi edhe “Drita Islame”, në jetët tona” – tha ai.
Zhvillohet simpoziumi ndërfetar: "Familja në këndvështrimin e Krishterë dhe Islam"
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Akademinë Teologjike Orthodhokse, Durrës dhe Instituti Filozofik e Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezan, Shkodër, zhvilluan simpoziumin ndërfetar të radhës me temë “Familja në këndvështrimin e Krishterë dhe Islam”.
Familja si faktor themelor në mbarëvajtjen e shoqërisë, këndvështrimet përkatëse teologjike të saj, apo çështje të ndryshme, që prekin aspekte thelbësore të familjes në ditët e sotme, siç janë: edukimi i fëmijëve, respekti ndaj prindërve, komunikimi i vazhdueshëm ndërmjet pjesëtarëve të saj, përkujdesja ndaj familjes etj, ishin disa nga pikat e shumta në të cilat u përqendrua simpoziumi i sotëm.
Paneli i referuesve i moderuar nga Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, Dr. Genti Kruja, përbëhej nga Atë Mario Imperatori, Drejtori i Institutit Katolik, Shkodër, z. Thoma Çomëni, Pedagog në Akademinë Teologjike Orthodhokse, Durrës dhe z. Elton Karaj, Pedagog në Departamentin e Shkencave Islame në Bedër.