Kreu i Bashkësisë Islame të Serbisë viziton KU Bedër
Kryetari i Meshihatit të Bashkësisë Islame të Serbisë, Prof. Dr. Mevlud Dudiç zhvilloi një vizitë në Kolegjin Universitar Bedër. Ai shoqërohej nga nënkryetari i kësaj bashkësie dhe njëkohësisht edhe drejtor i Medresesë së Novipazarit Dr. Rexhad ef. Plojoviq. Gjatë kësaj vizite, ku merrte pjesë edhe kreu i KMSH-së H. Skender Bruçaj, delegacioni i ardhur nga kryeqendra e Sanxhakut, u prit nga dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, si dhe anëtarë të tjerë stafit akademik të KU Bedër.
Në këtë takim u fol rreth aktivitetit dhe kontributit që KU Bedër jep në fushën akademike dhe me gjerë, si dhe u diskutua lidhur me bashkëpunimet, që mund të zhvillohen në fushën akademike me Universitetin Ndërkombëtar të Novipazarit, sidomos në fushën e Shkencave Islame, por jo vetëm.
Shkencat Islame, Bedër organizojnë Shkollë Verore në Vjenë
Departamenti i Shkencave Islame, Bedër në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës ka organizuar Shkollën Verore “Islami në Evropë” në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë. Në këtë shkollë merrnin pjesë studentë të viteve të dyta dhe të treta Bachelor në Shkenca Islame. Në vijim të kësaj shkolle, studentët ndoqën disa seminare dhe leksione të hapura në Universitetin e Vjenës nga pedagogë dhe lektorë të Teologjisë Islame të këtij universiteti.
Nën drejtimin e përgjegjësit të Departamentit të Shkencave Islame, Bedër, Dr. Genti Kruja grupi i studentëve është pritur fillimisht nga shefi i departamentit të Studimeve Teologjike Islame në Universitetin e Vjenës Prof. Dr. Ednan Aslan, institucioni i cili organizoi edhe mbarëvajtjen dhe akomodimin e studentëve gjatë qëndrimit në Vjenë.
Gjatë këtij qëndrimi studentët kanë zhvilluar gjithashtu edhe disa vizita të rëndësishme në institucione zyrtare austriake.
Me datë 9 korrik 2018 delegacioni i studentëve nga Universiteti Bedër ka vizituar Ministrinë Federale Austriake për Integrimin Europian dhe Punët e Jashtme, ku janë pritur nga znj. Aloisia Wörgetter, drejtuese e Departamentit të Dialogut Ndërkulturor, si dhe nga z. Martin Kienl, kreu i Departamentit për Integrimin në Ministrinë Federale Austriake për Integrimin Europian dhe Punët e Jashtme.
Studentët e shoqëruar nga Dr. Genti Kruja ndanë me të pranishmit kontributin e KU Bedër në fushën e dialogut ndërfetar dhe aktivitetet e shumta zhvilluar lidhur me të nga Departamenti i Shkencave Islame. Një nga këto ishte edhe konferenca ndërkombëtare në fushën e dialogut ndërfetar e realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Austrisë në Shqipëri në maj të këtij viti.
Gjatë këtij takimi, znj. Aloisia Wörgetter dhe z. Martin Kienl shprehën falënderimet dhe vlerësimet e tyre për këtë vizitë, si dhe folën për bashkëpunimet e mundshme në fushën e arsimit dhe dialogut ndërkulturor e ndërfetar.
Një vizitë tjetër e rëndësishme ishte edhe ajo e zhvilluar me dt. 10 korrik në zyrat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Vjenë, ku grupi u prit nga Dr. Gilberto Gerra dhe Mag. Karl Prummer.
Dr. Gerra bëri një përshkrim të punës dhe funksioneve të zyrave të OKB-së, veçanërisht të departamentit që ai drejton, atë të shëndetësisë dhe luftës kundër drogës. Ai u shpreh i impresionuar nga vizita e studentëve të KU Bedër dhe u tregua i gatshëm për bashkëpunime në kuadër të trajnimeve dhe praktikave profesionale të studentëve në zyrat e OKB-së.
Dr. Kruja gjithashtu, i njohu zyrtarët e OKB-së me misionin dhe vizionin e Universitetit Bedër, si dhe me kontributin e dhënë deri më tani në Shqipëri.
Këto takime dhe vizita erdhën si rezultat i mbështetjes dhe bashkëpunimit të KU Bedër me Ambasadën Austriake në Tiranë, e cila ofroi mbështetjen për realizimin e këtyre takimeve gjatë kësaj shkolle verore, e cila u zhvillua në ditët e para të presidencës austriake në BE.
Studentët e Shkencave Islame, Bedër gjatë këtij udhëtimi studimor në Vjenë të Austrisë kanë vizituar Qendrën Kulturore Shqiptare, si dhe Qendrën Islame të Vjenës dhe xhaminë e saj, ndërtuar në vitin 1979.
Grupi studentor i shoqëruar nga Dr. Genti Kruja dhe lektori z. Hysni Skura kanë vizituar gjithashtu bibliotekën shekullore të Universitetit të Vjenës, si dhe objekte të ndryshme historike në Vjenë.
Gjatë muajit korrik-gusht dhe më pas gusht-shtator po zhvillohet gjithashtu edhe një shkolle tjetër verore dhe trajnim për studentët e Shkencave Islame, Bedër në Universitetin el Ez’her në Kajro të Egjiptit. Vlen të theksohet se këto shkolla zhvillohen për herë të parë jashtë Shqipërisë, duke u bërë shkas për zhvillimin e edukimit në këtë departament në shumë dimensione.
Arbër Çepani dhe Eglent Bici të ftuar në seminarin "Sipërmarrja dhe Sfidat e të rinjve në Shqipëri"
Departamenti i Shkencave të Edukimit organizoi ditën e sotme seminarin me temë "Sipërmarrja dhe Sfidat e të rinjve në Shqipëri".
Të ftuar ishin Arbër Çepani, aktualisht Moderator në RTSH, programi "Mirëmëngjes Shqipëri”, njëkohësisht edhe sipërmarrës, aktivist i shoqërisë civile (UN Women, Albanian Students Abroad Network) dhe fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e sipërmarrjes, inovacionit dhe gazetarisë. I ftuari tjetër ishte Eglent Bici, Themelues/ CEO MEI Realty dhe Trajner Suksesi e Zhvillimi Personal, me një eksperiencë të pasur në sipërmarrje, shitje, marketing dhe inovacion.
Gjatë takimit të ftuarit ndanë me studentët e Bedër eksperiencat e tyre të sipërmarrjes dhe lidershipit, si dhe mënyrat e motivimit dhe zhvillimit personal.
Studentët pjesëmarrës ishin nga departamentet e psikologjisë, edukimit, komunikimit, drejtësisë dhe gjuhës angleze. Në fund të takimit studentët kishin mundësinë që të bashkëbisedonin dhe t’u drejtonin pyetje të ftuarve, për të mësuar më shumë rreth sipërmarrjes dhe si të tejkalojnë vështirësitë e hasura. Duke falenduar të ftuarit, mbetet për t’u vlerësuar se studentët morën doza të mira optimizmi dhe energjie pozitive nga ky takim me dy sipërmarrës të suksesshëm.