Qasjet inovative në shkencat e edukimit dhe ato sociale në shekullin e 21
Departamenti i Shkencave të Edukimit në Kolegjin Universitar Bedër, zhvilloi Konferencën e 5-të radhazi Ndërkombëtare me temë: “Qasjet inovative në shkencat e edukimit dhe ato sociale në shekullin e 21”.
Ky edicion i konferencës vjen si bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
E zhvilluar në sallën e konferenave të Bedër, konferenca mblodhi sëbashku akademikë dhe studiues nga disa vende të ndryshme të rajonit, si: Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Greqia.
Punimet e konferencës u përshëndetën nga përfaqësuesit dhe dekanët e fakulteteve të shkencave të edukimit në institucionet bashkëpunuese. Përmendim këtu, Rektorin e Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh optimist se përfundimet e referuesve përsa i përket problematikave themelore që hasin fusha e edukimit dhe ajo sociale në ditët e sotme, do të sjellin në fokus zgjidhjet më të përshtatshme për tu aplikuar në çdo rast.
Më tej, Dekani i Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Assoc. Prof. Dr. Fatmir Vadohej, shprehu kënaqësinë e të qenit institucion bashkëpunues në një platformë të tillë të diskutimit të problematike dhe qasjeve të reja që përballet fusha e edukimit në shekullin aktual. Gjithashtu ai shprehu gatishmërinë e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional në organizime të tjera të ngjashme.
Më shumë të ngjashëm se të ndryshëm
Studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër, organizuan koncertin e bamirësie me titull "Më shumë të ngjashëm se të ndryshëm"
Në kuadër të ditës botërore të sindromës Down, ky koncert mblodhi së bashku në ambientet e Bedër, zëra të rinj e të vjetër të skenës dhe ekranit shqiptar, me qëllim për të grumbulluar sa më shumë të ardhura nga shitja e biletave, të cilat do të shkojnë si fond në ndihmë të fëmijëve pranë fondacionit “Down Syndrome Albania”
Ndër artistët që ju bashkuan nismës së studentëve të komunikimit përmendim: z. Dritan Boriçi, znj. Myfarete Laze, z. Erlind Zeraliu, znj. Elona Zeraliu, z. Kristian Koroveshi, z. Gjergji Doka, znj. Vilma Hodo si dhe studentët Elton Cara, Hafsa Desatani dhe Sefer Vrana.
Arrihet memorandumi i bashkëpunimit me Kolegjin AAB në Prishtinë
Gjatë vizitave që u zhvilluan në institucione të ndryshme arsimore në Prishtinë, delegacioni i Kolegjit Universitar Bedër me në krye Rektorin, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin AAB në Prishtinë, institucioni i parë jopublik i arsimit të lartë në Kosovë.
Ky memorandum bashkëpunimi, i firmosur nga dy drejtuesit e institucioneve përkatëse, Prof. Dr. Ferdinand Gjana dhe Prof.Dr. Lulzim Tafa, vjen si nevojë për të intensifikuar më tej marrëdhëniet bashkëpunuese ndërmjet dy institucioneve në fushën akademike, në organizimin e mëtejshëm të konferencave kombëtare e ndërkombëtare, shkëmbimin e stafit, në fushën e kërkimit shkencor etj.
Gjatë bashkëbisedimit, të dy palët shprehën gatishmërinë për ta vazhduar më tej marrëdhënien e bashkëpunimit ndërmjet Bedër dhe AAB, edhe pse deri më tani në këtë kontekst janë konkretizuar disa organizime të përbashkëta, përmendim këtu konferencën ndërkombëtare në studimet e medias dhe komunikimit, publikimet shkencore të përbashkëta ndërmjet stafeve përkatëse etj.
Takimi vazhdoi më tej me vizitën e ambienteve të ndryshme të Kolegjit AAB.
Zhvillohet konferenca shkencore "25 Vite Drita Islame"
Pedagogë të Kolegjit Universitar Bedër referojnë në punimet e konferencës shkencore “25 vite Drita Islame”, konferencë kjo e organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me rastin e 25 vjetorit të themelimit të kësaj reviste.
E zhvilluar në ambientet e “International Hotel Tirana”, konferenca mblodhi sëbashku përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare nga vendi e rajoni, akademikë, studiues, pedagogë, klerikë të shumtë etj. Veçojmë këtu pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, Kryemyftiu i Kosovës Hafiz Naim Tërnava, Myftiu i Gostivarit Hafiz Shaqir Fetahu, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Znj. Loreta Aliko etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti, z. Bujar Nishani, vlerësoi kontributin e lartë të kësaj reviste në edukimin fetar e kombëtar të brezave, që nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme.
“Ka mbi 25 vjet që dielli u shfaq rishtazi mbi mjegullën që ndenji aq gjatë mbi vendin, tokën, njerëzit, shtëpitë, shpirtrat dhe besimet tona. Si toka në dritën e diellit ndriçoi edhe “Drita Islame”, në jetët tona” – tha ai.