Bedër vlerëson me titullin “Doctor Honoris Causa” z. H. Selim MUÇA, Kryetar Nderi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” Bedër, zhvilloi ceremoninë e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për z. H. Selim MUÇA, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë përgjatë viteve 2004 – 2014.
Ky aktivitet mboldhi sëbashku përfaqësues të komuniteteve fetare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, përfaqësues të trupit diplomatik me seli në Tiranë, përfaqësues të shumtë të medias si dhe akademikë dhe personalitete të ndryshëm të kulturës dhe artit shqiptar.
Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori i Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, vlerësoi lart figurën e Kryetarit të Nderit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për vlerat dhe kontributin e tij në promovimin e besimit, harmonisë dhe tolerancës ndërfetare në vendin tonë. Po ashtu, ai nuk la pa përmendur kontributin e z. Muça në themelimin e institucionit që ai përfaqëson.
Ndahen çmimet fituese të Konkursit të 3-të mbi Esenë për të Rinjtë në Gjuhën Angleze
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin Bedër, në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Shqipëri, zhvilluan sot ceremoninë e ndarjes së çmimeve fituese për Konkursin e tretë mbi Esenë për të Rinjtë në Gjuhën Angleze, (YCEEC).
Pas 3 edicioneve të suksesshme të kësaj platforme, konkursi konfirmon sërish objektivin e tij, atë të promovimit të të lexuarit, të shprehurit dhe krijimtarisë së të rinjve, duke vlerësuar kështu përsosmërinë e zhvillimit të frazës dhe imagjinatës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Dr. Mahmut Terci, pohoi se studentët e sotëm janë politikëbërësit e së ardhmes. Duke promovuar aftësitë organizative dhe ndarjen e përvojave të tyre me njëri-tjetrin, çdo ditë e më shumë ata tregojnë potencialin e vet si në vendin e tyre ashtu dhe jashtë tij.
Tema këtij edicioni ishte: "Një nga të drejtat themelore të njeriut është përftimi i informacionit sa herë nevojitet. Megjithatë, kjo nevojë shfaqet disi e tepruar në botën e sotme duke rezultuar në efekte anësore të një informacioni të papërshtatshëm, të tepërt dhe të pavlerë i njohur edhe si Ndotje e Informacionit e cila mund të ketë efekt negativ në veprimtarinë tonë të përditshme dhe të manifesohet në një morì formash të ndryshme."
Kështu vendi i parë, i dytë dhe i tretë u fituan përkatësisht nga nxënësit: Joana LAME, Pegi KOÇI dhe Fiona MANJA të cilat morën si çmim nga një iPad. Ndërsa pjesëmarrësit e tjerë u vlerësuan me certifikata pjesëmarrjeje.
Zhvillohet Konferenca e parë Virtuale Ndërkombëtare në Gjuhë dhe Letërsi Angleze
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin Bedër, në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Tiranë dhe International BURCH University në Sarajevë, organizuan konferencën e dytë ndërkombëtare në gjuhë dhe letërsi angleze.
E zhvilluar virtualisht, kjo konferencë, e para në llojin e saj mblodhi sëbashku një numër të konsiderueshëm akademikësh dhe studentësh nga e gjithë bota.
Në lidhje të drejtpërdrejtë me skype, referues të ndryshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, India, Malaizia, Shqipëria, Gjeorgjia, Maqedonia dhe Nigeria, prezantuan punimet e tyre në lidhje me aspekte të ndryshme të gjuhës dhe letërsisë angleze. Teksa studentët e pranishëm që ndoqën punimet në po të njëjtën formë, me pyetjet dhe komentet e tyre i dhanë një formë interaktiviteti konferencës.
Kryetari i konferencës Dr. Mahmut Terci, në fjalën e tij përshëndetëse, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet, u shpreh i entuziazmuar për faktin se tashmë gjuha dhe letërsia angleze e kthyer në objekt studimi, me anë të teknologjive të reja krijon hapësira për zhvillim të vrullshëm në këtë fushë.
Konferenca zhvilloi më tej punimet e saj në disa sesione. Ndër temat e trajtuara deri më tani nga referuesit përmendim: “Rikonceptimi i Kulturës dhe Letërsisë në botën e sotme shkencore”, “Përdorimi i teknologjive mësimore në ELT”, “Kërkimi shkencaor aktiv si armë për mësuesit apo studiuesit e gjuhës angleze” etj.
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: "Familja në një kontekst global"
Bedër në bashkëpunim me Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, zhvilluan konferencën e përbashkët shkencore me temë: “Familja në një kontekst global: Perspektivat aktuale dhe të së ardhmes”.
Punimet e konferencës u përshëndetën nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e tij Z. Bujar Nishani, i cili gjatë referimit të tij e cilësoi familjen si një prej qelizave bazë të shoqërisë dhe ftoi të rinjtë dhe institucionet që të jenë shërbëtorë të devotshëm të saj. Po ashtu gjatë ceremonisë së hapjes ishte i pranishëm edhe Shkëlqesia e tij Vincenzo Paglia, President i Këshillit Papnor për Familjen në Vatikan, i cili gjatë referimit mbi dashurinë në familje e vuri theksin te harmonia familjare si një element thelbësor në zgjerimin e saj në rang kombëtar.
Ndërsa Sh. T. Alberto Cutillo, Ambasador i Italisë në Shqipëri, në fjalën e tij përshëntetëse tha se: “Nyja kryesore e jetës dhe ekzistencës tonë është familja. Për këtë pasuri, ne të gjithë së bashku duhet të bëjmë më shumë duke qenë të bashkuar dhe duke punuar për të përmirësuar kushtet për një familje të shëndoshë.”
I pranishëm në këtë panel ishte edhe Nunci Apostolik në Shqipëri. Sipas tij këndvështrimi shpirtëror i aspekteve të ndryshme të shoqërive të sotme është themelor në garancinë e një familjeje të ndërtuar mbi baza të forta për brezat e rinj.
Më tej Rektori i Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen si dhe bashkëpunëtorët në organizimin e kësaj konference, u shpreh se sot ka tendenca për të nënvlerësuar apo edhe zhvlerësuar plotësisht rolin real dhe të natyrshëm të familjes, duke e shkatërruar atë si strukturë sociale.
Zhvillohet simpoziumi shkencor me temë: “Krijimi dhe njeriu si kujdestar i tij”
Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër në bashkëpunim me Institutin Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër dhe Akademinë Teologjike Orthodhokse, Durrës, organizuan simpoziumin shkencor me temë: “Krijimi dhe njeriu si kujdestar i tij”
Punimet e këtij aktiviteti u përshëndetën nga Dekani i Akademisë Teologjike Orthodhokse Hirësi Nikolla Hyka, rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Drejtori i Institutit Teologjik Katolik Atë Mario Imperatori, si dhe peshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës në Boston, Hirësi Ilia.
Pas fjalës përshëndetëse të të lartëpërmendurve aktiviteti vazhdoi më tej me referimet e z. Veton Tulla, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame në Universitetin Bedër, i cili referoi mbi temën: “Krijimi është kryeargumenti i ekzistencës së Zotit”, z. Lorenzo Rosseti, pedagog në Institutin Teologjik Katolik me temë “Kujdesja e natyrës për një përparim të vërtetë”, si dhe z. Natan Hoppe, pedagog në Akademinë Teologjike Ortodokse me temë “Krijmi, kungim me Zotin”.
Në këtë aktivitet të përbashkët merrnin pjesë gjithashtu edhe Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Bedër, Dr. Genti Kruja, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame & Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH, Dr. Atakan Derelioglu, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër, si dhe pedagogë e studentë nga të tre shkollat teologjike.
Pas referimeve, ishte radha e studentëve të pranishëm nga të 3 institucionet të cilët me pyetjet e drejtuara referuesve i dhanë një formë interaktiviteti simpoziumit në fjalë.
Ky organizim vjen pas një fillimi të një bashkëpunimi akademik midis shkollave të larta teologjike, si seminare dhe leksione të hapura me studentët e secilës shkollë dhe së fundmi edhe simpoziumi “Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri”, organizuar para disa kohësh nga tre institucionet e larta teologjike, në ambientet e Universitetit Bedër.